E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, sot dorëzimi në Pragë i kërkesës për aplikim



Kryeministri Sali Berisha dhe pjesëtarë të kabinetit të tij të qeverisë do të udhëtojnë sot në drejtim të Pragës, për të dorëzuar kërkesën zyrtare të Shqipërisë për të aplikuar për statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Datën se kur Shqipëria do të aplikonte për t’u anëtarësuar në BE Berisha e shpalli pikërisht dy ditë më parë, gjatë një mbledhjeje të posaçme të Këshillit të Ministrave. Berisha, i cili firmosi publikisht kërkesën, deklaroi: “Reformat e realizuara me sukses bënë të mundur që në një hark kohor të shkurtër Shqipëria të ftohet për të paraqitur kërkesën për statusin e kandidatit. Reformat bënë të mundur që ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të shpallin suksesin e reformave të qeverisë shqiptare si frymëzuese për vendet e tjera të rajonit”. Kreu i qeverisë deklaroi se ishte konsultuar dhe kishte marrë mbështetje të gjerë nga partnerët ndërkombëtarë. Kryeministri, ndër të tjera, falënderoi edhe opozitën për mbështetjen që ka dhënë për votimin e reformave në Parlament. “Dua të falënderoj opozitën për reformat që ka votuar në Parlament dhe dua ta siguroj atë se ky akt nuk është elektoral, se ky akt është në zbatim të rezolutës që kemi votuar bashkërisht në Parlament dhe se ky akt është interesi më i mirë i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Ky akt është themelor të programin politik të të gjitha forcave politike serioze të vendit”, - do të deklaronte kryeministri Berisha.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›