Rama-Karamanlis theksojnë nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të lira parlamentare
Kryetari i Partisë Socialiste njëkohësisht Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama priti dje Kryeministrin e Greqisë Kostas Karamanlis, si pjesë e axhendës së vizitës që shefi i qeverisë greke zhvilloi në vendin tonë. Në delegacionin e kryesuar nga Kryeministri grek ishte e pranishme edhe Ministrja e Jashtme greke Dora Bakojanis. Gjatë takimit të zhvilluar u bisedua për disa çështje të rëndësishme në vend, ku procesi i përgatitjes së zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri, zuri vendin kryesor. Në bisedën miqësore mes dy liderëve, tema kryesore ishte rëndësia dhe nevoja e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në 28 qershor, gjë e cila do të ishte një faktor domethënës dhe vendimtar për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe në lidhje me infrastrukturën zgjedhore, rëndësinë e pjesëmarrjes në votime, sistemi elektoral, etj.
28 Prill 2009