E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Thesarit, para nga Parlamenti për qiratë e mikut gei



Qeveria e re e Londrës është tronditur dje nga zbulimi dhe publikimi i skandalit të parë të saj. Tashmë pluhuri ka nisur të “ngjitet” edhe në imazhin e kryeministrit të ri, David Kameron. Ministri i tij i Financave, i cili ka detyrën të ngrejë financat publike dhe të ulë deficitin buxhetor ka përdorur fondet parlamentare, pra taksat publike, për të paguar prej tetë vitesh qiranë e dy apartamenteve që i përkisnin të dashurit të tij, pronar i dy shtëpive. Drejtori i Thesarit, David Ljuis ka deklaruar se “do të ripaguaj gjithçka, por e kam bërë vetëm për të ruajtur privatësinë e marrëdhënies sime gei”. Sipas të përditshmes britanike, “Daily Telegraph”, e cila zbuloi e para skandalin, Ljuis, nga radhët e liberal-demokratëve, personi kryesor që mundësoi arritjen e marrëveshjes për formimin e koalicionit qeveritar mes konservatorëve dhe liberaldemokratëve, ka kërkuar në formën e shpenzimeve për parlamentarët, 950 sterlina në muaj, për një total prej 40 mijë sterlinash (47 mijë euro) për të paguar dy apartamente në pronësi të partnerit të tij, Xhejms Landi, i cili punon në një shoqëri lobimi. Ljuis ka kërkuar falje duke pranuar fajin e tij dhe ka thënë se do ta dërgojë çështjen e vet në komisionin e etikës së Parlamentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›