Kodra: “Shqiptarët të aplikojnë për karta për të larguar Berishën”
Kreu i G99-s, Erion Veliaj, ka akuzuar nga Gërdeci kryeministrin Sali Berisha, familjen dhe klikën politike të tij si shkaktare të tragjedisë së një viti më parë, ku humbën jetën 26 shqiptarë dhe u plagosën 300 të tjerë. Veliaj së bashku me aktivistë të G99-ës, kanë zhvilluar dje një vizitë në Gërdec, ku kanë përkujtuar 13-mujorin e kësaj tragjedie në një takim të zhvilluar me banorët e kësaj zone. Duke folur afër postbllokut që bllokon hyrjen për te krateri i shpërthimit, Veliaj tha se tashmë është e qartë për të gjithë publikun shqiptar se kush janë fajtorët e kësaj tragjedie.
“Fajësia e kësaj tragjedie tashmë është e qartë që i përket një rrethi që po ngushtohet dhe që përbëhet nga njerëzit e kryeministrit Berisha. Në fillim dolën baxhanakët dhe kunetërit që e menaxhonin këtë fabrikë, më vonë fëmijët që përfitonin nga ajo dhe tashmë, pas lajmit të publikuar dje në media, këshilltarët e kryeministrit, eminenca e tij gri, doli që ishte bashkëpronar i asaj firme që ndërtoi fabrikën e vdekjes. Të gjithë fëmijët në Shqipëri janë të përfshirë në trafikun e armëve. Diferenca qëndron në faktin që disa fëmijë janë të detyruar t’i demontojnë, pastrojnë apo transportojnë këto armë duke humbur dhe jetët e tyre, ndërkohë që fëmijë të tjerë janë të privilegjuar me të gjitha të mirat që gjenerohen nga paratë e këtij biznesi. Sot, po të jesh djali ose vajza e Fahriut apo Saliut ke shanse shumë më të mira sesa po të jesh një vajzë apo një djalë nga Gërdeci dhe Marqineti. Kjo qeveri erdhi në pushtet me fanfarën e bujshme se do të eliminonte konfliktin e interesit dhe korrupsionin. Sot nuk ka fare konflikt interesi sepse të gjitha interesat janë të Sali Berishës dhe familjes së tij”, - tha Veliaj.
Në takimin e zhvilluar me banorët, Veliaj ka folur gjithashtu edhe për çështjen e kartave të identitetit. Sipas kryetarit të G99-ës, e vetmja zgjidhje që shpëton zgjedhjet është që kartat e identitetit të shpërndahen falas.
16 Prill 2009