E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania pa llogari, fiton dhe pret duelin me Tre Luanët

Grupi D Serbia bën harakiri, Gana falënderon Australinë dhe kualifikohet

Gjermania nuk bën asnjë llogari dhe prej emrit, por edhe prej peshës së fanellës, tregon se nuk i trembet asnjë kundërshtari. Skuadra e drejtuar nga Joakim Lëv fiton në ndeshjen e fundit të Grupit D dhe do të ndeshet në 1/8 me një prej favoriteve të Botërorit 2010: Anglinë e drejtuar nga Fabio Kapelo. Duke mposhtur me rezultatin 1-0 Ganën, falë golit të Mesut ëzil, gjermanët marrin kryesimin e grupit dhe tashmë presin një duel, që pa frikë mund të cilësohet si një “finale e parakohshme”. Humbje pa pasoja ajo e ganezëve, që falë golavarazhit më të mirë në krahasim me Australinë (këta të fundit mposhtën 2-1 Serbinë duke shkatërruar ëndrrën e ballkanasve), kalon në turin tjetër. Sipas të gjitha gjasave, ajo do të jetë skuadra e vetme afrikane që luan në 1/8-at dhe do të ndeshet me SHBA-në, për të vazhduar aventurën në Afrikën e Jugut.

Në prag të sfidave të treta, situata delikate në Grupin D linte të hapura të gjitha opsionet për kualifikim (madje edhe për Australinë, pavarësisht se ata kishin shanse minimale). Kjo ishte arsyeja përse Gana dhe Gjermania nuk e kursyen impenjimin dhe djersën, duke u përballur pa frikë që prej minutave të para të takimit. Afrikanët luanin të hapur, pavarësisht se mund t’u mjaftonte një barazim për të vazhduar më tej dhe një rreshtim i tillë ua lehtësoi punën gjermanëve. Skuadra e Lëv rrezikoi dy herë portën e Kingston në dhjetë minutat e para me Kakau dhe Podolskin, ndërsa në të 23-tën, ëzil kishte rastin ideal për të zhbllokuar shifrat. Por, i gjendur i vetëm përpara portierit, turku shpërdoroi. Pak çaste më vonë ishte Gana ajo që provoi me Gian Asamoah, devijimi me kokë i të cilit u largua në vijën fatale nga Lahm. Në të 60-tën erdhi edhe rrjeta që prishi balancat e ndeshjeve, të paktën për sa i takon rezultatit. ëzil, i cili është talenti më i madh i përfaqësueses gjermane, kontrollon topin në kufi të zonës kundërshtare dhe lëshon një të majtë perfekte që frenohet vetëm nga rrjeta. Goli nuk e prishi bukurinë e ndeshjes, edhe pse më interesante ishin lajmet që vinin nga stadiumi “Mbombela” i Nelspruitit ku Australia mposhti Serbinë. Skuadra e Verbek fitoi me rezultatin 2-1, por nuk arritën të kualifikoheshin për më tej, për shkak të golavarazhit (-3) më të keq në krahasim me Ganën. Në fund, si për Australinë, ashtu edhe për Serbinë mbetet vetëm zhgënjimi, pasi të dyja skuadrat janë kthyer në shtëpi.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›