E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesi është Lajmëtari i Zotit

Futbolli mistik Sipas një studimi hebraik të mistereve, argjentinasi është i destinuar të fitojë

“Dora e Zotit” është kthyer dhe vesh përsëri fanellën bardhekaltër. Ajo sjell edhe shenjat hyjnore, që me siguri do ta kualifikojnë deri në finale. Parashikimi vjen nga një ekspert i kabalistikës izraelite, sistemit mistik fetar të hebrenjve. Në faqen e parë të “Jerusalem Post”, ai ka publikuar rezultatin e një studimi të komplikuar, “Mystic Soçer”, futbolli mistik, sipas të cilit në Botërorin 2010 ka zbritur në fushë (dhe do të qëndrojë gjatë) një lojtar që mban emrin, ka numrin e përshtatshëm, të gjitha koincidencat astronomike dhe shenjat e Lajmëtarit të Zotit: ai është Lionel Mesi, numri 10 i Argjentinës. Autori i profecisë quhet David Skolni, është një mësues dhe së fundmi u përqendrua te futbolli, ndërsa përpara shumë vitesh, familja e tij u shpërngul nga Izraeli në Afrikën e Jugut. Ka shkruar disa libra rreth Kabalasë (Kabbalah): tradita ezoterike e hebrenjve, e thënë ndryshe, leximi i Biblës nëpërmjet simboleve dhe numrave. Ai është mjaft i famshëm për interpretimet që bën rreth ngjarjeve të së ardhmes.

Skolini ka studiuar me imtësi jetën dhe karrierën e Lionel Mesit, ndërsa detaji që i ka tërhequr më shumë vëmendjen është padyshim mbiemri. Eksperti është shprehur i mahnitur, nga rezultatet e atyre që i cilëson si zbulimet e tij. Duke nisur nga dita e lindjes: 24 qershor 1987 (sulmuesi feston sot 23-vjetorin), që në kalendarin hebraik i korrespondon datës 28 Sivan 5747, ku 28-a është simbol i forcës. Më pas data e finales së aktivitetit në Afrikën e Jugut, e diel, 11 korrik, ditë që përkon me leximin e pjesëve të caktuara të “Shkrimeve të Shenjta”, që në hebraisht quhen “Matot-Massei”: “Fjala Massei tingëllon si Messi dhe aty ndodhet një germë e alfabetit, ayin, e cila do të thotë sy. Sipas Kabalasë kjo tregon syrin e Zotit dhe lidhet me numrin 70-të: ky i fundit është numri i pasardhësve të Noah dhe numri i kombeve të botës”. Por, lidhjet mistike nuk përfundojnë me kaq. Sipas studiuesit, rrënjët leksikore të fjalëve “Matot” dhe “Massei” simbolizojnë dy popujt që udhëtojnë deri në tokën e premtuar: prej kësaj rrjedh edhe parashikimi i fitueses së Kupës së Botës. David Skolni vëzhgon një tjetër koincidencë numerike, që lidhet me sulmuesin argjentinas. “Nëse ndajmë në rrokje emrin e Mesit, ai do të lexohej si shkurtim i ‘mispar yud’, ku Yud është germa e dhjetë e alfabetit hebraik dhe ka një vlerë shumë simbolike te Kabala-ja: kuptimi i saj lidhet me dhjetë urdhëresat që Zoti i dorëzoi Moisiut. Yud është më e vogla mes 22 germave dhe njihet si ‘e vogla që mban shumë (kuptime)’, një paralelizëm i shtatit të vogël të Mesit dhe aftësive të tij të jashtëzakonshme futbollistike”. Më tej, edhe diçka rreth origjinës italiane të yllit të Barcelonës: “Paraardhësi i Lionel, Anxhelo Mesi, emigroi nga Italia drejt Argjentinës rreth 1800-s. Në italisht, mbiemri Mesi do të thotë muaj. Sipas kalendarit hebraik, finalja e Botërorit 2010 do të luhet në ditën e parë të muajit të Av. Shenja e këtij muaji është luani. Emri Lion-el lidhet ngushtë me fjalën hebraike Ari-el, ose ndryshe Luani i Zotit. Një luan hyjnor: 10 që ndeshet me 70 kombet”. Skolini thekson se “Mesi nuk është aspak Mesia”, por ai është ‘Lajmëtari i Zotit’, njeriu me një mesazh nga Zoti”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›