Tahiri: SHISH akuzoi disa deputetë si të lidhur me mafian, të dalin emrat
Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, kërkoi dje që të ndiqen penalisht dhe të merren masa ndaj politikanëve të lidhur nga mafia, që sipas tij janë përmendur në raportin e SHISH i cili iu bë i ditur edhe Kuvendit. “Partia Socialiste kërkon që të bëhen publik e të merren masa ndaj të gjithë atyre qeveritarëve që janë identifikuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror si të lidhur me mafien, krimin e organizuar dhe shërbimet sekrete të huaja, siç kërkojmë menjëherë detajimin e plotë dhe sqarimin shterues të deklaratave të pasurisë për të gjithë ata, të lidhur ose jo me Kryeministrin, që në këtë vit krize kanë fituar miliona euro”, deklaroi Tahiri. Sipas deputetit socialist, kreu i SHISH deklaroi në Komisionin e Sigurisë me përgjegjësi të plotë “se vitin e kaluar mafia, krimi organizuar dhe shërbimet sekrete të vendeve të huaja, kanë sponsorizuar për emërimin dhe ngjitjen në karrierë të qeveritarëve dhe politikanëve, dhe se po këta qeveritarë, sot vazhdojnë ende të mbajnë lidhje të ngushta me sponsorizuesit e tyre, mafia, krimi i organizuar dhe shërbimet sekrete të vendeve të huaja”. Sipas deputetit Tahiri, për këtë çështje kanë dijeni edhe krerët e shtetit. Ai më tej kërkoi sqarime për pasurinë e fituar gjatë vitit të kaluar të ministrave, por edhe të familjes së Kryeministrit Berisha. “Gjatë këtij viti ka fituar 200.000 euro, por kemi edhe të drejtën të kërkojmë sqarim të detajuar, për t’i bërë publikut të qartë se kush na qeveris, po ashtu sa e si i fitojnë paratë e tyre”, deklaroi Tahiri.