E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet i "forti" i Laçit, u shpëtoi tre atentateve

Qyteti i Laçit është tronditur mëngjesin e djeshëm nga disa breshëri kallashnikovi, që i mori jetën një 25-vjeçari. Aris Trokthi është qëlluar në automjetin e tij, ku e pranishme ishte dhe 20-vjeçarja Leonarda B., e cila fatmirësisht nuk ka marrë asnjë plumb. Ky nuk ishte atentati i parë që i bëhej Trokthit, ndërsa këtë radhë atentatori ka mundur t‘ia arrijë qëllimit të tij, duke ekzekutuar 25-vjeçarin në hyrje të qytetit të Laçit. Sipas policisë së këtij rrethi, viktima e këtij atentati është Aris Trokthi, babai i tre fëmijëve, i cili është qëlluar me breshëri automatike dje në orën 1.20 minuta në afërsi të shinave, pranë stacionit të trenit në Laç. Ai udhëtonte në makinën e tij. Burime të policisë së Kurbinit bëjnë të ditur se Trokthi është qëlluar nga një person, i cili po e priste atë në rrugë e që mendohet se më pas është larguar me një motor. Sipas policisë, më 28 prill të vitit 2004, persona të paidentifikuar kishin tentuar të vrisnin Aris Trokthin, në një lokal përballë spitalit të Laçit, ku për pasojë mbeti i vdekur një shtetas, që ishte klient në lokal dhe u plagosën shtatë shtetas të tjerë. Po kështu, ai ka qenë disa herë objekt konfliktesh me armë në mes të qytetit të Laçit, por edhe pse policia ka arritur ta dërgonte dosjen në ngarkim të tij disa herë në gjykatë, ai ka fituar lirinë. Trokthi njihej si njeri problematik në qytetin e Laçit, pasi sillte vazhdimisht shqetësim për policinë e këtij rrethi dhe banorët e Laçit.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, policia tha se viktima është qëlluar me armë automatike kallashnikov. Pas ekzekutimit, dëshmitarja okulare e vendit të ngjarjes ka njoftuar policinë dhe ka treguar se atentatori është larguar me motor në drejtim të superstradës, ndërsa në kokë kishte vënë një skafandër dhe nuk njihej. Burime zyrtare të Policisë së Kurbinit thanë se grupi i gatshëm i policisë ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, pasi ka dëgjuar të shtënat e automatikut. Ndërsa ka marrë të dhënat paraprake, ka nisur edhe operacionin për gjetjen dhe identifikimin e autorit të krimit. Për këtë qëllim është vënë në gjendje alarmi edhe Drejtoria e Policisë së Lezhës, që ka ngritur postblloqe në të gjitha rrugët që lidhin Laçin me rrethet e tjera, duke kaluar në "sitë" të gjithë kalimtarët që lëviznin në këmbë apo me makinë, por pa mundur të gjejë autorin e krimit. Ekspertë të Policisë së Lezhës kanë marrë në pyetje 20-vjeçaren Leonarda B., për të mësuar identitetin e autorit të krimit, ndërkohë që ajo ka mundur të përshkruajë vetëm gjatësinë e trupit, që, sipas saj, mund të ishte mbi 1.70 cm. Për vrasjen e Trokthit, policia ka ngritur disa pista, duke hapur edhe njëherë të gjitha dosjet që kanë qenë të mbushura më parë nga ana e policisë së këtij rrethi, pasi ai ka qenë person me precedent penal edhe më parë. "Duke qenë se ai ka qenë njeri problematik, kjo e ka vështirësuar zbulimin e autorit të atentatit", tha policia.

Konflikti

Si i shpëtoi atentatit

të parë Aris Trokthi

Më 28 prill 2004, Aris Trokthi, ndërsa ishte duke qëndruar në një lokal përballë spitalit të Laçit, i ka shpëtuar për mrekulli ekzekutimit, duke mbetur i plagosur rëndë. Bashkë me Trokthin janë plagosur edhe pesë persona të tjerë, ndërsa një tjetër klient i lokalit ka mbetur i vdekur. Sipas burimeve policore, ka qenë ora 15.10, kur në qytetin e Laçit është dëgjuar një breshëri e gjatë kallashnikovi. Plumbat ishin shtënë drejt një lokali që ndodhet përballë spitalit të qytetit, brenda të cilit luanin domino një grup njerëzish, mes tyre pesë të një fisi (përfshi edhe pronarin). Sipas policisë, ai që ka qëlluar dhe më pas është larguar me makinën e tij (brenda saj ndodhej edhe një tjetër), është Gjon Menga, djali i tezes së Agim Pepës, vrasësit të Gani Malushit. Sipas burimeve të policisë, konflikti midis Mengës dhe Trokthit kishte nisur një orë para krimit, pas një sherri mes tyre për motive të dobëta. Pas sherrit, Menga është larguar për në shtëpi. Por më vonë është kthyer vetë i dytë. Ka ndaluar makinën para lokalit dhe ka dalë prej saj me një kallashnikov në dorë. Pa folur asnjë fjalë, Menga ka tentuar të qëllojë Arsi Trokthin, por ky është hedhur për ta kapur në momentin që po qëllonte me kallashnikov dhe kjo ka bërë që plumbat të kapin edhe klientët që ndodheshin në lokal. Për pasojë, ka vdekur në vend Lekë Suti nga qyteti i Laçit, si dhe janë plagosur shtatë të tjerë, të cilët janë: Altin Bushi, Bert Lepuri, Mikel Trokthi, Kastriot Trokthi, Zef Trokthi, Sajmir Trokthi, Aris Trokthi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›