Gjermania vizite ne Aushvic

Pas skandalit të regjistruar në fillim të marsit, ku tifozët e Kaizerslauternit ofenduan futbollistin izraelit, Itali Shehtel, përfaqësuesja gjermane e futbollit e bëri realitet vizitën në kampin famëkeq të përqendrimit në Aushvic.
Menaxheri i kombëtares gjermane, Oliver Bierhof deklaroi se “duhet të nxirren mësime nga e kaluara, veçanërisht nëse ajo është e dhimbshme”. Skuadra Gjermane vendosi një kurorë dhe ndezi qirinj në pllakat e viktimave të panumërta të Holokaustit.
Pjesë e delegacionit të “panzer”-ave gjatë kësaj vizite ishin edhe presidenti i Federatës Gjermane, Volfgang Nirsbah, trajneri Joakim Lëv, menaxheri i përfaqësueses Oliver Bierhof dhe shumë lojtarë, mes të cilëve spikasnin sulmuesit Lukas Podolski e Miroslav Klose, si edhe kapiteni Fillip Lahm.
Pasi firmosi librin e vizitorëve në vendin përkujtimor, kreu i DFB-së, Nirsbah nënvijëzoi se “kjo vizitë tregoi edhe një herë sa e pakonceptueshme është që njerëzit t’i bëjnë gjëra të tilla njerëzve të tjerë”, ndërsa vuri në dukje se gjermanët nuk mund të fshihen duke përdorur justifikimin se janë një brez i ri dhe të harrojnë të kaluarën.
Nga ana e tij, Bierhof shtoi se “e kaluara nuk duhet harruar, por duhet kujdes, në mënyrë që një mizori e tillë të mos përsëritet më”. Nga pranvera e 1942-shit deri në çlirimin në vitin 1945, Aushvici ishte kampi më i madh nazist i përqendrimit. Më shumë se 1 milionë e 100 mijë burra, gra dhe fëmijë janë vrarë, ose kanë humbur jetën nga uria dhe sëmundjet.