Zdenek Zeman eshte trajneri i ri i Romes

Zdenek Zeman është trajneri i ri i Romës. Trajneri 65-vjeçar ka pranuar të marrë drejtimin e skuadrës verdhekuqe pas një takimi me drejtorin e përgjithshëm, Franko Baldini dhe administratorin Klaudio Fenuçi. Sipas mediave italiane palët kanë firmosur kontratën, megjithatë zyrtarizimi i akordit pritet vetëm të hënën.
Zeman mori drejtimin e Romës, pasi i dhuroi Serinë A Peskarës pas 19 vjetësh. Megjithatë, zgjedhja e “boemit” lidhet me dashurinë për kryeqytetasit, ndërsa mësohet se ai ka ngulmuar që kontrata në krye të skuadrës të jetë një vjeçare me opsion për të rinovuar edhe një vit tjetër.
Tekniku 65-vjeçar kthehet te verdhekuqtë pas 13 vitesh. Ai ka punuar te Roma deri në vitin 1999, përpara se të zëvendësohej nga Fabio Kapelo, i cili i dhuroi skuadrës titullin historik në vitin 2001.
Emërimi i çekut është mbështetur nga pjesa më e madhe e tifozëve, që shpreson në një paraqitje të mirë të skuadrës, pas zhgënjimit me Luis Enriken. I lumtur është edhe Françesko Toti, i vetmi lojtar që ka mbetur nga Roma e Zemanit, me të cilin shpërtheu dhe u shndërrua në një yll.
Nga ana e tij, Zeman bëri të ditur se zgjodhi Romën, “pasi ky mund të jetë shansi i fundit për të drejtuar një skuadër të madhe”, duke pasyr parasysh edhe moshën që ka, ndërsa kërkesa për kontratë 1-vjeçare lidhet me faktin që trajneri nuk dëshiron ti bëhet peshë klubit nëse gjërat nuk funksionojnë si duhet.