Gjermania zbulon heroinën e re të pop-it
Që prej dy ditësh, Gjermania ka qenë e përfshirë nga një mani e re me emrin “Lenamania”. Që prej dy ditësh ajo është kryefjala e festimeve të një kombi të tërë. Për Gjermaninë, vajza e re me emrin Lena dhe me atë pamjen e pafajshme solli në shtëpi fitoren e parë në 30 vitet e “Eurosong”-ut me këngën “Sateliti”. Një këngë melodioze që mori vlera të mëdha nga interpretimi shumë i sinqertë dhe shumë origjinal i një vajze 19-vjeçare që duket se për sa u përket çmimeve dhe fitoreve do të ketë ende shumë për t’u përballur. Gjermania festoi me fishekzjarrë dhe birrë gjatë gjithë fundjavës së kaluar për triumfin e Oslos dhe çmimin e madh të cilin e mori studentja e re, e cila një vit më parë nuk njihej nga askush dhe që sapo ka nisur rrugën drejt famës. Tashmë të gjithë në Gjermani dhe jashtë saj e thërrasin “Lena e dashur” dhe vajza që ka fituar zemrat e të gjithëve në vendin e saj dhe në Europën mbarë është “produkt” i një konkursi kënge, një spektakli shumë të famshëm televiziv në Gjermani në të cilin marrin pjesë dhe konkurrojnë zërat e rinj dhe ata që nuk vijnë nga asnjë karrierë e mëparshme artistike, por duke pasur besim në talentin e tyre zgjedhin këtë konkurs për të bërë përpara në rrugën e këngës. Ata gjermanë që e admiruan dhe e votuan Lenën në konkursin gjerman e kanë bërë këtë edhe në sfidën e madhe dhe të vështirë europiane të Oslos, ku vajza e re duhet që të konkurronte me këngëtare profesioniste dhe shumë më me përvojë skenike se ajo. E megjithatë, fakti i fitores tregon se jo gjithmonë përvoja është gjithçka kur bëhet fjala për një konkurrim zëri dhe imazhi. Shpesh ajo që është më e freskët dhe më e pafajshme arrin që të bëjë më shumë zemra për vete se ajo që është e sofistikuar dhe e përpunuar. Kjo ka të bëjë me rrugën më të shpejtë që kanë disa njerëz për të përcjellë mesazhet e tyre te spektatorët që nuk është gjithmonë rruga tradicionale. Ndoshta sot spektatorët janë të ngopur me prodhime shumë të sofistikuara ku tentohet që gjithçka të jetë afër perfektes dhe një interpretim më me zemër dhe më i thjeshtë i bën më shumë për vete. Ky është edhe rasti i Lenës, e cila edhe në konkursin e këngës në Gjermani arriti që të fitonte pikërisht falë mënyrës shumë origjinale të interpretimit dhe përcjelljes së emocioneve. Interpretimi i saj në natën finale është ndjekur nga qindra mijëra gjermanë në të gjithë botën e sigurisht në Gjermani, madje duke qenë se që në fillim ajo u dallua nga këngëtaret e tjera nata finale i ngjante një finaleje të kampionatit botëror të futbollit. Në sheshet e mëdha të qyteteve gjermane ishin vendosur ekrane të mëdha dhe njerëzit ndiqnin gjithçka me një tifozllëk të çmendur duke pirë birrë. Madje, ky eveniment u pasqyrua në shtypin e përditshëm më shumë se kriza e euros dhe reformat që deri më tani kanë zënë faqet e para të gazetave vendase. Më në fund, pas shumë muajsh lajmi kryesor nuk kishte më të bënte me euron, krizën e tregjeve financiare, apo të deficiteve buxhetore, por me fitoren e një 19-vjeçare që sfidoi të gjithë europianët. Madje, gjermanët e kanë marrë një votim të tillë të europianëve edhe si një shenjë që pavarësisht të gjithave ata vazhdojnë që të preferohen në kontinent. “Në fund të fundit, Europa na pëlqen!!!”, shkruante një e përditshme gjermane duke iu referuar kritikave që vendi ka marrë së fundi për refuzimin e gjatë për të ndihmuar financiarisht Greqinë, që ngjalli shumë debate dhe kontradikta në arenën ndërkombëtare. Dhe kjo është e drejtë duke qenë se Lena fitoi 76 pikë nga shikues të ndryshëm jashtë Gjermanisë. Fitorja e vajzës 19-vjeçare duket se ka prekur edhe vetë Kancelaren gjermane, Merkel. Ajo e uroi personalisht vajzën që solli një fitore shumë të rëndësishme në shtëpinë e saj duke e cilësuar atë “heroinë të pop-it” dhe një “supersukses”. “Me natyrshmërinë dhe sharmin e vet rinor dhe ngrohtësinë shpirtërore Lena arriti t’i bënte të gjithë për vete duke u shndërruar në një shembull të Gjermanisë së re”.
Lena është mbesa e një diplomati gjerman dhe vjen nga një familje e shtresës së mesme. Ajo ka lindur dhe banuar në Hanover dhe jeton vetëm nga e ëma. Ndërsa këtë herë me Festivalin Europian fitoi famë ndërkombëtare, që prej një viti kënga e saj ka qenë një hit në Gjermani. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për zërin dhe mënyrën e interpretimit me të cilat ajo dallon nga këngëtare të tjera, por edhe me mënyrën e thjeshtë të të komunikuarit dhe jetuarit, si dhe refuzimin që ka pasur gjithmonë ndaj mënyrave tradicionale të të promovuarit të këngëve nga ana e industrisë së muzikës. “Unë realisht nuk e prisja një fitore të tillë. Jam e goditur dhe e tronditur dhe nuk po mundem ende ta besoj”, ka deklaruar menjëherë pas fitores 19-vjeçarja nga Hanoveri. Për Gjermaninë bëhet fjalë për fitoren e parë në 28 vjet. Në vitin 1982, festivali u fitua nga Nicole me këngën e saj “Pak paqe” e cila fitoi shumë popullaritet në Gjermani dhe më gjerë në të gjithë kontinentin, duke qenë se në atë periudhë njerëzit dhe lëvizjet paqësore ishin kundër vendosjes së raketave amerikane në Gjermani.
#