Njolla e zezë në Shtëpinë e Bardhë
Edhe një president që shquhet për gjakftohtësi dhe qëndrim të durueshëm dhe të matur përballë situatave të vështira si Obama duket se e ka humbur durimin me atë që po ndodh në Gjirin e Meksikës dhe njolla e zezë e naftës që po përhapet me shumë shpejtësi nuk mund të mos “nxijë” edhe jetët e atyre që drejtojnë Shtetet e Bashkuara në Shtëpinë e Bardhë. Dhe kjo reflektohet edhe në sondazhet e opinionit publik që shfaqin shqetësim dhe frustracion ndaj situatës duke e vënë Obamën përballë një përgjegjësie shumë të madhe, përballë një situate që mund të shënjojë dukshëm vitet e ardhshme të presidencës së tij. Nga dy “gojët” e hapura në thellësitë e ujërave, rrjedhin më shumë se 2 milionë litra naftë në ditë, një sasi që do të mjaftonte për të mbushur serbatorët e 50 mijë makinave me tonazh të madh. E bashkë me naftën që rrjedh nën ujë po “rrjedh” edhe reputacioni i Obamës një lider i mbështetur deri më tani që duhet ta kuptojë se nga vendimet e ardhshme që do të marrë ndaj BP dhe gjithë industrisë së naftës në përgjithësi do të varet një pjesë shumë e madhe e suksesit të tij si President i vendit. Obama u zgjodh pikërisht se njerëzit besuan se ai ishte kandidati më i përshtatshëm për t’u bërë ballë katastrofave të mëdha financiare. Kriza e tanishme është e një natyre tjetër e megjithatë si çdo krizë, pjesë e suksesit të zgjidhjes së saj është mënyra e shpejtë e veprimit dhe e ndërhyrjes. Nafta që rrjedh e rrjedh nuk vret vetëm faunën dhe florën e njerëzve që jetojnë në zonat e prekura dhe hanë bukë nga bujaria e këtij ekosistemi, por rrezikon që të vrasë edhe një presidencë e bashkë me të edhe një shpresë.
Deri më tani asnjë ndërmarrje e Obamës, apo e BP nuk ka ndaluar aspak atë që po ndodh në fundin e oqeanit. Kundër Obamës nuk kanë dalë vetëm njerëzit e dhënë pas Bushit, por edhe një pjesë e atyre që e kanë mbrojtur Presidentin që në fillim të garës së tij zgjedhore.
Për sa kohë që toka do të vazhdojë që të nxjerrë naftë Obama do të vazhdojë që të humbasë reputacion dhe mbëshettje, ndaj ai duhet të veprojë shumë shpejt dhe tashmë pa mëshirë ndaj atyre që shkaktuan këtë dëm.