E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhjet pasionante mes tavolinave të punës

Një studim anglez tregon se 6 në 10 punonjës kanë flirtuar të paktën një herë në vendin e punës

Dashuria gjatë orëve të punës, nuk mund të shmanget: është një shikim në ashensor, ose në korridor; një buzëqeshje “miqësore” mes kolegësh; një afrim gjatë rrugës për të pirë një kafe. Përpiqesh ta përzësh, por ajo shfaqet sërish. Sipas ekspertëve, nuk ka se si të jetë ndryshe. Nëse vërehen shenjat e para pranë tryezës së punës, në tualet, ashensor apo zyrë, të jeni të sigurt se diçka po ndodh. Pra, nëse shenjat e lartpërmendura ngjasojnë me tuajat, atëherë të jeni të sigurt se edhe ju keni rënë në “grackën” e dashurisë. Por mos u shqetësoni. Sot, tabuja e “dashuriçkave” në zyrë (por edhe në vende të tjera pune, si bibliotekë, restorante apo hotele) është venitur. “Intimacy”, një studim i kryer nga Andrew Kakabadse i “Northampton Business School”, ka treguar se 60 për qind e personave të intervistuar në të gjithë botën, pohojnë se kanë një lidhje sentimentale, ose thjesht seksuale, në ambientet e punës. Studime të tjera janë më të kujdesshme dhe e ulin me një të katërtën numrin e dashnorëve klandestinë në totalin e gjithë popullsisë që punon nëpër zyrat e globit, të cilat janë biznese të vogla ose korporata të mëdha.

Deri në fund

“Lidhja, pak a shumë erotike, që krijohet mes dy kolegëve, e ndryshon gjithmonë ambientin e punës. Pjesa më e madhe e mban të fshehtë lidhjen deri në fund. Për organizatat në të cilat këto persona punojnë, është bërë një çështje e rëndësisë së veçantë”, thotë Andrew Kakabadse. Dhe në fakt, është një problem. Për njerëzit e zyrave, që e kalojnë gjithnjë kohën në takime dhe para kompjuterit, takimet erotike janë shndërruar në fiksimin e tyre të vetëm. Shkëmbimi i ndjenjave nga një tavolinë në tjetrën është bërë moda e fundit e universit post-industrial, ku zyrat i ngjajnë njëra-tjetrës, nga Nju Jork deri në Singapor. Së fundmi, janë krijuar edhe sajte të cilat u dedikohen rrëfimeve të dashurisë mes kolegëve të punës, të cilët janë të detyruar të shohin me sy, të plasin me zemër dhe t’i vuajnë në heshtje dhembjet e dashurisë. “Problemi është se historitë e dashurisë nuk mund të përshkruhen nga rregullorja. Sado udhëzime që të japë një kompani, nuk ka asnjë mënyrë për t’i ndaluar fenomenet e shumë njerëzve në ambientet e punës”, shkruan një menaxher në një blog.
Shtimi i këtyre marrëdhënieve e ka rritur, si numrin e grindjeve ashtu edhe atë të pakënaqësive.
Në vendet europiane, pothuajse një në dy persona pohon se ka kryer marrëdhënie me një sipërmarrës/e të lartë të kompanisë ku punon; ndërsa 42 për qind e personelit të dhjetë firmave amerikane të monitoruara, pohon se është braktisur menjëherë pas flirtit të momentit. Por kujdes: nëse edhe ju jeni pjesë e “ushtrisë” që ka shkuar në shtrat me një koleg/e pune, që ka flirtuar apo ka kryer gjeste jo të zakonshme, duhet ta kuptoni se jeni të përfshirë dhe nuk mund të përjashtoheni nga kjo kategori. Tentativa ose dëshira për ta përsëritur këtë veprim, do të thoshte babai i psikologjisë, Frojdi, është “çapkëne”: një individ çdo 7 vjet punë dëshiron të ketë një partner të ri seksual mes personave që i përkasin ambientit të tij profesional. Por a ekziston një parajsë për dashnorët në orarin e punës? Tentativa për të bërë dashuri mes ambienteve të punës i bën të përjetojnë më tepër një ferr sesa një pasion, duke ua shtuar edhe më shumë presionin të dashurve. Natyrisht që puna të ofron zgjedhje erotike shumë më të mira se ato të zakonshmet. Gjithashtu, puna të jep mundësinë që të tregosh se cili je në të vërtetë, të kujdesesh për veten, të vishesh mirë, të trukohesh. Megjithatë, gjithçka ndodh për një arsye të vetme: për të flirtuar. Zyrat janë zonat pa limit për të flirtuar apo për të pasur marrëdhënie, “vendet e ndaluara” që nxisin lidhjet dhe pasionet, pra janë këto agjencitë e vërteta të dashurisë. Cilët janë joshësit e mëdhenj? Ekziston një lidhje e ngushtë midis pasionit hierarkik dhe suksesit në historitë e dashurisë. Tashmë koha e Romeos dhe Zhuljetës, e dashurisë së pamundur, ka perënduar. Historitë e gjata të dashurisë, ato që janë paksa të ngatërruara, ndotin ambientin dhe “kanë një çmim që jeta profesionale nuk është në gjendje t’i paguajë”.

Personat e dashuruar mund të takohen gjatë pushimit të drekës, ose gjatë orarit të punës, me justifikimin klasik se duhet të shkojnë në një mbledhje e rëndësishme që doli papritur. Kështu, nga pamundësia e një lidhjeje intime në zyrë, gjithçka mund të transferohet në makinë, apo ndonjë hotel pas pune. Një dashuri e vjedhur dhe e shpejtë, por shumë intensive dhe eksituese. Pastaj rrugë e lirë SMS-ve, e-mail-eve, puthjeve dhe bisedave në makinë, si në kohët e bukura të adoleshencës. Kjo është një mënyrë për t’iu rikthyer edhe një herë rinisë, duke menduar se koha nuk ka kaluar kurrë. Por në zyrë, ashtu si në restorant, është e rëndësishme të ndjekësh disa rregulla për sjelljet që duhet të adaptosh ose jo me kolegët superiorë, pa i dhënë shumë rëndësi asaj që ndien për të mos rënë në sy.

Diktaturë dashamirëse

“Të flirtosh në vendin e punës është një parajsë e vërtetë, ndërsa të përfshihesh seriozisht në një çështje të tillë është një ferr i vërtetë”, thotë autorja e një libri mjaft të shitur në Amerikë. Ndoshta mund të jetë e vërtetë, por janë gjithnjë e më shumë çifte, të hapura ose të fshehta, që u kërkojnë kompanive ku punojnë të respektojnë privatësinë e tyre. “Bota e kompanive ku këta dashnorë bëjnë pjesë, është gjithçka përveç demokratike”, thotë gazetari amerikan, Ethan Winning. është një diktaturë që fillon të pajtohet me impulset e dashurisë së subjekteve të saj. Hapi i parë u bë nga një kompani e madhe japoneze, e cila e pranoi se burimi i stresit në ambientet e punës ishte fundi i një marrëdhënieje sentimentale mes dy punonjësve, të cilëve u ofroi një palë pushime me të gjitha shpenzimet e paguara prej saj, në mënyrë që të rikuperonin energjitë e humbura dhe të rikthehej buzëqeshja në punë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›