Nafta, Obama duhet ti thotë lamtumirë naftës
Moratoriumi i njoftuar nga Obama nuk mjafton. Nuk mund të rrihet duarkryq në pritje të tragjedisë për të marrë më pas masa, sepse ndërkohë mund të jetë shumë vonë dhe dëmi i madh është kryer. Aktualisht, ajo që po ndodh në Gjirin e Meksikës, dredhja e vazhdueshme e tonelatave të naftës në oqean është një tragjedi ambientale, e cila ka marrë statusin e tragjedisë më të rëndë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur njeriu vepron me këmbëngulje kundër natyrës, atëherë edhe natyra vjen një moment që ia kthen përgjigjen. Pascal Ascot është një nga shkencëtarët më të zellshëm ambientalistë amerikanë që punon në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Shkencore dhe ai e sheh me një shqetësim shumë të madh atë që po ndodh në Gjirin e Meksikës, ndërkohë që të gjitha tentativat e deritanishme për të ndaluar rrjedhjen e naftës po dështojnë njëra pas tjetrës.
Obama ndodhet në qendër të kritikave që sa vijnë e po rëndohen. Si i gjykoni ju përgjegjësitë e Presidentit amerikan në një rast të tillë?
Të rënda. Presidenti amerikan, pak ditë para shpërthimit në platformën e BP kishte vendosur që të lejonte shpime të reja nën det për naftë për komani të rëndësishme, madje edhe në zona ku ekosistemet janë shumë të brishta dhe mund të shkaktojnë dëme të mëdha ekologjike në rast katastrofe. Ai thotë se kishte marrë sigurinë e kompanive për sa i përket sigurisë së teknologjive me të cilat do të kryheshin gërmimet. Ajo çka po ndodh aktualisht tregon se jo vetëm që nuk ka ekzistuar kurrë as siguria më minimale, por nuk ka ekzistuar kurrë edhe aftësia për të përballuar situatat urgjente. Me fjalë të tjera është ndërmarrë një hap shumë i rrezikshëm dhe pa pasur një plan B në rast katastrofash.
Shpimi i fundit të deteve për të nxjerrë naftë nuk është teknologjia e vetme që pranohet pa garancitë e duhura. çernobili tregoi se ka edhe rreziqe të tjera të mëdha që ndërmerren pa planet e shpëtimit. Në këtë rast bëhet fjalë për centralin bërthamor që shkaktoi një tragjedi të madhe ambientale dhe njerëzore që ende vazhdon të ketë pasoja.
Mendoj se është rasti për të diskutuar në lidhje me marrëdhëniet mes lobeve të mëdha industriale dhe politikës. Situata e fuqishme dhe e pashpresë në të cilën ndodhet sot Presidenti i vendit më të fuqishëm në botë flet më së miri për paradoksin në fjalë. çfarë do të kishte ndodhur me Shtetet e Bashkuara dhe Presidentin nëse një dëm i tillë do të ishte shkaktar nga një shtet armik?
Obama, megjithatë ka vepruar me shumë vendosmëri ndaj BP.
Po, por nuk ka marrë ndonjë masë konkrete ndërsa situata ka ardhur duke u përkeqësuar dhe vetëm vonë e mori çështjen në duart e tij. Drejtimi i emergjencës mbetet në duart e atyre që shkaktuan dëmin pra të kompanisë. Për më tepër të gjithë përfaqësuesit e organizatave ambientaliste dhe ekologjiste të cilat rendën që në fillim për të dhënë ndihmën e tyre për ndreqjen e situatës nuk u lejuan që të qëndronin në vendin e tragjedisë. Me pak fjalë, situata u manipulua që në fillim nga kompania e cila kërkonte me çdo kusht që fillimisht të fshihte atë që ndodhi dhe më pas përmasat katastrofike të asaj që vazhdon edhe aktualisht të ndodhë. Kompania ka bërë ç’është e mundur që të fshehë të vërtetën për mediat, pamjet dhe informacionin nga fundi i detit.
Kur do të zhduken pasojat shkatërrimtare të kësaj katastrofe?
Natyra ka një pafundësi mënyrash për të “shëruar’ plagë të tilla më të vogla, apo më të mëdha, por jam i bindur që në këtë rast nuk do të nxitojë që ta bëjë një gjë të tillë. 50 apo 100 vite janë një fraksion kohe i papërfillshëm nga pikëpamja gjeologjike. Për ne, njerëzit me një kohë shumë të kufizuar jete mbi planet gjërat janë ndryshe. Nëse për këtë periudhë nuk do të kishim mundësi që të shijonim bukurinë e këtyre brigjeve dhe gjithë dhuratat që ujërat e oqeanit ju falin njerëzve atëherë të humburit e mëdhenj do të ishim vetëm ne. Megjithatë, bëhet fjalë për një dëm jashtëzakonisht të madh si nga pikëpamja ekologjike dhe ambientale, ashtu edhe nga ajo ekonomike. Kjo për Shtetet e Bashkuara, por edhe për vendet fqinje.
Kush do të paguajë për këto dëme?
Pyetje me vend, por deri më tani, kompania ka paguar vetëm një pjesë të dëmit të madh dhe masiv të shkaktuar prej saj. Këtë herë, situata është aq e rëndë sa pagesa për një katastrofë të tillë mund të rrënonte edhe kompaninë më të pasur dhe të fuqishme të botës, pra edhe vetë BP. Nuk mund ta imagjinoni se çfarë dëmi të pallogaritshëm i jep kjo derdhje prej mijëra litrash në ditë ekosistemit më të bukur dhe më të veçantë të Shteteve të Bashkuara. Nuk besoj se amerikanët do ta pranonin “krahëhapur” një propozim për të paguar edhe për këtë dëm të jashtëzakonshëm të shkaktuar nga një kompani lakmitare dhe e papërgjegjshme si British Petroleum.
Ju thoni se moratoriumi për anulimin e të gjitha shpimeve nën det nga kompanitë e naftës nuk mjafton. Në këto rrethana, çfarë duhet të bëjë Obama sipas jush?
Unë mendoj se ka ardhur koha që Obama të marrë një vendim shumë kurajoz dhe të guximshëm. Industria e naftës kërcënon në mënyrë të vazhdueshme shëndetin e njeriut dhe atë të natyrës. Tashmë duhen nxjerrë mësime nga një situatë e tillë dhe në këtë mijëvjeçar duhen kërkuar dhe investuar burimet e reja të energjisë së rinovueshme dhe që respektojnë natyrën, ambientin dhe njeriun. Vetëm kështu do të mund të shmangim katastrofa të tjera edhe më të mëdha.
#