Samanta, rebelja e Downing Street
E kanë cilësuar si ‘rebelja’ e “Downing Street” për të kaluarën e saj me muzikantin Tricky, pasionin për tatuazhet (ka një delfin të vogël në kavilje) dhe mënyrën e veshjes e sjelljes. Dhe për të mos përgënjeshtruar një famë të tillë ka filluar që të ndryshojë menjëherë disa nga traditat autoktone angleze.
Samantha Cameron, një aristokrate e pasur, drejtoreshë kreative e një marke luksi është konsideruar si “arma sekrete” e bashkëshortit David Cameron, Kryeministrit të ri britanik. E pagëzuar me emrin “SamCam” nga media, Samantha, 39 vjeç, e ndoqi hap pas hapi atë gjatë fushatës elektorale duke e ndihmuar të qëndronte në kontakt me “njerëzit e vërtetë”. “Sam është një barometër i mirë. Ka një perceptim të mirë për gjërat dhe e di se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo. Mund të jetë edhe aristokrate, por qëndron me këmbë në tokë”, ka shkruar Andrew Feldman, mik i çiftit në një biografi të David Cameron. Samanta Gwendoline Sheffield ka lindur më 18 prill të vitit 1971 në Londër dhe është vajza e madhe e baronit Sir Reginald Sheffield, një pronar i pasur tokash. Brune, me sytë blu, është rritur në Scunthorpe (në lindje të Anglisë), para se të studionte art në Bristol. Me David është njohur në Toskana dhe në vitin 1996 çifti vuri kurorë. Në atë kohë, ambiciozi David Cameron, 25 vjeç, ishte këshilltar i ministrit të Financave, Norman Lamont.
Bëma e fundit Zonjës së Parë angleze ishte shkarkimi i shoferit qeveritar, i cili punonte prej më shumë se 20 vjetësh në këtë detyrë. Kështu që tani e tutje, në vend të emigrantit besnik me origjinë nga Karaibet që mes të tjerash mbante edhe titullin MBE (anëtar i njerëzve të shërbimit në Britani) për shërbimet e tij publike, vendi do t’i takojë një shofere femër për t’u kujdesur për fëmijët e vegjël të shtëpisë Cameron, Nancy dhe Arthur në rrugëtimin e tyre nga shkolla në shtëpi dhe e kundërta apo për të çuar gjithë familjen në Chequers, rezidenca e Kryeministrit në Buckinghamshire. Një vendim, sipas asaj që shkruan “Mail on Sunday”, i marrë ekskluzivisht nga vullkanikja “Sam Cam” (kështu e quajnë miqtë e saj) që duke pasur të drejtën e një shoferi me kohë të plotë, në cilësinë e gruas së Kryeministrit të vendit do të ndihej më mirë me një grua në timon sesa me një burrë.
Shoferi i pushuarNjë goditje e rëndë që thyen rregullat dhe traditat e funksionimit të pushtetit ekzekutiv. Megjithatë, risitë e Samantës nuk duket aspak se kanë gjetur përkrahjen e tabloidëve që e dënojnë atë për shkarkimin e 50-vjeçarit Gibbon, eksponent i një pakice etnike, përveçse babai i tre fëmijëve dhe një njeri korrekt dhe punëtor i vlerësuar nga gjithë paraardhësit e Cameron në “Dowing street”. “Nuk mund të gjesh një person më të sjellshëm dhe të edukuar se Roy. Ai është një zotëri i vërtetë dhe shkonte shumë mirë me zonjën Brown dhe fëmijët e saj, John e Fraser”, ka deklaruar një burim anonim. Sipas asaj që shkruhet, shoferi i pushuar duhet të shkojë të punojë për ministrin e Drejtësisë, Ken Clarke, për të cilin ka punuar edhe shumë kohë më parë.
Fëmijët“Na lajmëruan se zonja Cameron donte një shofere grua, sepse kështu do të ndihej më në formë kur të nxirrte xhiro fëmijët. Kjo kërkesë nuk është zyrtarizuar akoma, por nëse ajo do ta dojë vërtet me siguri do realizohet”. E ndërsa një foto e publikuar nga sajti i gazetës angleze tregon Samantën (shtatzënë me fëmijën e tretë që do të lindë në shtator) që zbret nga një makinë që drejtohet nga një grua, një zëdhënës i “Downing Street” ka thënë vetëm se “nuk i diskutojmë kurrë masat e sigurisë të marra për Kryeministrin dhe familjen e tij”. Megjithatë, nuk është hera e parë që një eksponent i një minorance etnike pjesë e shoferëve të makinave të qeverisë humb vendin e tij të punës. Ashtu siç kujton “Mail on Sunday”, në mars i takoi “Howard Rose”, në varësi të Liam Byrne, sekretarit të thesarit në qeverinë laburiste, të linte timonin e “Jaguar”-it të këtij politikani, pasi ata deklaruan se u kishte humbur portofoli në makinë. Rose u pyet vazhdimisht nëse e kishte gjetur, por edhe pse Byrne nuk bëri asnjë akuzë të drejtpërdrejtë dhe në fund gjeti portofolin, shoferi u ngarkua në një tjetër pozicion.
Më mirë në këmbëKryeministri në këmbë. Zëvendëskryeministri në metro. Gratë me trena, ndërsa të gjithë ministrat në mjete publike. Ky është urdhri më i ri i qeverisë britanike. ‘Dua të jetoj si personat e thjeshtë, njerëzit e zakonshëm”, tha Kryeministri i ri britanik, David Cameron, që prej një jave çuditërisht e bën i vetëm ose i shoqëruar nga ndonjë këshilltar, rrugën nga zyra e tij në “Downing Street” deri në Parlamentin Westminster. “E bëj edhe për të çlodhur këmbët. Më pëlqen të bëj të paktën një shëtitje në ditë”, thotë ai. “Nuk dua të ndryshoj rrugën time”, e mbështet Nick Clegg, zëvendëskryeministri dhe kryetari i Partisë Liberaldemokrate që merr metronë për të shkuar në punë. Njëlloj si gruaja e tij, Miriam Gonzales, që përdor si trenin dhe metronë për të shkuar në punë. Në një moment vështirësie ekonomike dhe shkurtimesh, mesazhi është se qeveria duhet të japë një shembull. Mbi të gjitha kjo është një mënyrë për t’u diferencuar nga qeveria e kaluar britanike, ku zëvendëskryeministri John Prescott ia jepte “Jaguar”-in e tij gruas qoftë edhe për pak metra. Por shumë njerëzve kjo lloj modestie nuk u pëlqen aspak: policia dhe shërbimet e sigurisë kanë frikë se terroristët dhe personat me probleme mendore mund të përfitojnë nga kjo situatë për të vënë në shënjestër Kryeministrin, zëvendëskryeministrin apo eksponentë të tjerë të lartë të qeverisë. Përveç shëtitjes rreth “Downing Street”, Cameron ka vendosur të heqë dorë nga eskorta tradicionale e motoçiklistëve të policisë që i hapin rrugën kur lëviz me makinë në rrugët e kryeqytetit. “Më duket një luks i panevojshëm. Dua të shoh si jetojnë edhe njerëzit e zakonshëm”, thotë Cameron. Një Kryeministër që shkon në këmbë nga “Downing Street” në Westminster nuk ishte parë që nga epoka e Churchill-it. Të njëjtat shije ka edhe Zonja e Parë e vendit, Samantha, e cila nuk ka dashur ta transferojë akoma familjen (kanë 2 fëmijë dhe presin të tretin) në Downing Street, pikërisht për të mos jetuar e rrethuar nga policët. Edhe çifti tjetër, Clegg, nuk e ka braktisur rezidencën private për atë zyrtare. Clegg dhe Cameron premtuan një mënyrë të re të të bërit politikë. Për momentin janë vetëm shenjat e para.
#