E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrigjohet vendimi 2011, ERE: Do të rrisim çmimin e KESH ndaj CEZ

SHKRUAN: Blerina Hoxha 08-12-2011 11:47

Duke qenë se këtë vit kostot e KESH-it janë rritur për shkak të mungesës së prodhimit vendas dhe rritjes së importit, ERE pritet të rrisë të mërkurën që vjen me më shumë se 1 lekë për kilovat/orë çmimin që KESH shet ndaj furnizuesit me pakicë, CEZ

Gjatë kësaj jave, Enti Rregullator i Energjisë do të marrë në shqyrtim më të hollësishëm kostot e kompanive që operojnë në tregun e energjetikës, si: OST, KESH dhe CEZ, HEC-et dhe Ulzës, Shkopeti dhe Lanabregasi, për të përcaktuar edhe çmimet që këto kompani do të shesin energjinë gjatë periudhës 2012-2014”, - tha dje kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Sokol Ramadani. “Duke vepruar sipas metodologjive përkatëse, në bazë të kostove dhe investimeve do të merret në konsideratë edhe ndryshimi i çmimeve ndërmjet kompanive”, - tha ai. Ndërsa burimet nga ERE, me analizat e bëra deri më tani kanë pohuar se do të korrigjohet ulja e çmimit të energjisë që ERE bëri vitin e kaluar ndaj KESH-it. Duke qenë se këtë vit kostot ndaj KESH-it janë rritur për shkak të mungesës së prodhimit vendas dhe rritjes së importit, ERE pritet të rrisë me më shumë se 1 lek për kilovat/orë çmimin që KESH shet ndaj furnizuesit me pakicë, CEZ. Kështu, niveli i çmimit për vitin 2012 pritet të jetë mbi 2.5 lekë, nga 1.48 lekë që është aktualisht. Nga ky korrektim i çmimit, KESH pritet të arkëtojë rreth 60 milionë euro më shumë në rast se e furnizon CEZ me të njëjtën sasi energjie si edhe këtë vit. Vitin që shkoi, Enti Rregullator jo vetëm që nuk mori në konsideratë kërkesën për rritje të çmimeve që kishte bërë KESH për vitin aktual, por e uli edhe më tej çmimin me të cilin KESH furnizonte CEZ-in. ERE vendosi që çmimi me të cilin CEZ bleu energjinë nga KESH-i gjatë vitit 2011, të jetë 1.48 lekë, nga 2.03 lekë që ishte deri më 31 dhjetor 2010. Me këtë veprim, shteti mori vetë përsipër kostot e mosrritjes së tarifave për CEZ-in, duke kompensuar atë me uljen e çmimit të energjisë që KESH i shiste CEZ-it. Nga kjo lëvizje, KESH–it iu krijuan automatikisht 50 milionë euro humbje për këtë vit financiar, shumë e cila pritet të kompensohet këtë vit nga çmimet e reja që do të miratojë ERE. E gjithë kjo vlerë, në fakt ka shkuar në arkën e CEZ-it, e cila e bleu energjinë më lirë ndaj KESH-it, duke e shitur me të njëjtat çmime ndaj konsumatorëve të pakicës. Për shkak të situatës surprizë në të cilën KESH u gjend vitin e shkuar, riformatoi edhe njëherë të gjithë planin e investimeve për vitin 2011. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) i ka propozuar Entit Rregullator të Energjisë, që për vitin 2012 të miratojë rritjen e tarifës për energjinë që i shitet CEZ në masën 239 për qind. Kështu, nga 1.48 lekë për kw/h që është tarifa aktuale, propozohet që gjatë vitit të ardhshëm të arrijë në 5.03 lekë për kw/h. Gjithashtu, KESH ka propozuar edhe rritje të çmimeve të prodhimit të energjisë nga 0.63 lekë që është aktualisht, në 0.90 lekë. Në relacionin drejtuar Entit Rregullator, KESH argumenton se në tarifën e kërkuar për furnizimin e CEZ-it, rreth 90 për qind e zënë kostot për blerjen e energjisë, 6 për qind është kompensimi që ERE duhet t’i bëjë KESH-it për uljen e çmimit gjatë këtij viti dhe 4 për qind e zënë kostot e personelit.

Kostot e KESH-it, që argumentojnë rritjen e çmimit

Blerja Energjisë nga KESH Gen 9,745,043,000

Blerje e Energjisë IPP 6,362,846,000

Blerja Energjisë nga TEC Vlora 25, 709,780,000

Blerje Energjie në treg 34,007,862,000

Kompensimi i vitit 2011 5,431,867,000

Kosto Operative, interesa 3.062,541,000

Të ardhurat e kërkuara 84,319,940,000

Tarifa mesatare e kërkuar 5.03 lekë

KESH: Ja tarifat e propozuara për 2012

Klientët çmimi aktual çmimi i propozuar, ndryshimi

Tarifa e prodhimit 0.63 lekë 0.90 lekë 42.86 %

Tarifa ndaj CEZ 1.48 lekë 5.03 lekë 239.86 %

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›