Karburantet rrisin nivelin e përgjithshëm të çmimeve për nëntorin
Niveli i përgjithshëm i çmimeve në tregun shqiptar ka shënuar një rritje prej 0,1% për muajin nëntor. Rritja e çmimit të naftës pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për taksimin e automjeteve ka ndikuar në rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve në muajin nëntor. Sipas të dhënave më të fundit të institutit të Statistikës, ndryshimi vjetor në muajin nëntor është 2.9 për qind, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 2.8 për qind. Në rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve ka ndikuar rritja e çmimit të bulmetit, veshjeve dhe këpucëve, pijeve alkoolike, transportit, si dhe në hotelet e restorantet. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it, grupi “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 0.1 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Brenda këtij grupi, ulja më e madhe prej 6.1 për qind vërehet në nëngrupin “fruta”, ku është vërejtur një ulje e çmimit të limonëve me 21.4 për qind, portokalleve me 15.2 për qind, mandarinave me 19.8 për qind, kivit me 7.3 për qind, mollëve 1.9 për qind, bananeve me 1.7 për qind etj. Ndërsa çmimet në nëngrupin ”zarzavate përfshirë patatet” shënuan një rritje prej 3.3 për qind, ku vihet re rritja e çmimit të kastravecëve me 38.7 për qind, patëllxhanëve me 38.4 për qind, specave me 29.2 për qind, bishtajave me 6.1 për qind etj. Gjatë muajit nëntor, çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçohet rritja në nëngrupin ”qumësht, djathë e vezë” 1.0 për qind, ”mish” 0.2, për qind, ”peshk” 0.4 për qind etj. Edhe grupi ”veshje dhe këpucë” ka shënuar një rritje prej 0.1 për qind, brenda këtij grupi çmimet e veshjeve shënuan një rritje prej 0.2 për qind, ndërsa çmimet e këpucëve një ulje me 0.4 për qind; “pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.3 për qind , rritje kjo që ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të duhanit me 0.5 për qind. Grupi “transport” shënoi një rritje prej 0.5 për qind. Gjatë muajit nëntor, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 1.8 për qind dhe çmimi i benzinës një rritje prej 1.4 për qind. Grupi ”hotele, kafene e restorante” shënoi një rritje prej 0.4 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të shërbimeve në kafene e restorante me 0.5.