Gjermeni: Dëmshpërblim të gjitha familjeve
Deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni, tha dje në një konferencë për shtyp, se “qeveria duhet të dëmshpërblejë të gjitha familjet e prekura nga përmbytjet, me para në dorë, si dhe të kompensojë qindarkë për qindarkë të gjitha dëmet e shkaktuara nga këto përmbytje”. Gjermeni ashtu si kryetari i PS, një ditë më parë fajësoi shtetin si shkaktar të përmbytjeve në Shkodër. “Përmbytja që la mijëra familje pa shtëpi e pa katandi, nuk erdhi si rezultat i ngrohjes globale, apo eklipsit të hënës, siç thotë Kryeministri i votave të vjedhura, por erdhi si rezultat i rënies së shtetit, i mos zbatimit të ligjit dhe rregullave, që e përcaktojnë qartë kuotën limit të nivelit të ujit në digat e hidrocentraleve”, u shpreh deputetja socialiste.