Neykov, Priftit: “Vlerësoj punën e qeverisë”
Situata e vështirë në Veri të vendit nuk ka kaluar pa tërhequr vëmendjen e organizmave dhe shteteve të ndryshme, për sa i përket menaxhimit të situatës. Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti ka marrë dje një letër nga drejtori i Komunitetit për Energjinë në Evropën Juglindore, Slavtcho Neykov, i cili shpreh vlerësimin e tij lidhur me menaxhimin profesional të situatës në zonat e përmbytura. Sipas Neykov, ministri Prifti dhe qeveria kanë bërë një punë të shkëlqyer për të mbajtur situatën nën kontroll. “Shirat dhe dëbora e vitit të fundit kanë shkaktuar prurje shumë të mëdha, duke krijuar një gjendje të emergjencës civile, dhe për këtë vlerësohet ndërhyrja tepër profesionale e qeverisë për shkarkimin e ujërave për të siguruar një ekuilibër për të ardhmen, duke iu larguar një rreziku më të madh”, thuhet në letër. Neykov shpreh keqardhjen e tij për ato 10.000 hektarë dhe më shumë se 2.400 shtëpi të përmbytura dhe rreth 5.000 njerëz, që janë evakuuar nga shtëpitë e tyre duke vlerësuar besimin e tij se situata është nën kontroll. Po këtë ka shprehur edhe ministri i Prifti, i cili dje ka vizituar Drejtorinë Qendrore Dispeçer. Ai tha se situata është përmirësuar dhe shkarkimet kanë rënë. “Nëse kushtet e motit nuk do të ndryshojnë në një afat dy apo tre ditë shkarkimet do të ndalen”, u shpreh ai. Ministri u ndal gjithashtu edhe në çështjen e hapjes së portave të Drinit në Maqedoni, për të cilën u shpreh se nuk ka vend për shqetësim. “Unë dhe Muharrem Stojku kemi pasur kontakte me Korporatën Eletroenergjetike të Maqedonisë që në orët e para të mëngjesit. Ata na kanë thënë se nga liqeni do të shkarkohet sot (dje) rreth 100-110 metër kub ujë në sekondë, një shifër e cila është totalisht e papërfillshme për sistemin tonë”, tha Prifti.