Rrëshqasin dherat mbi hekurudhë, bllokohet treni me 60 udhëtarë
LIBRAZHD - Për pak sa nuk kanë rrezikuar jetën 60 udhëtarët e linjës së trenit Pogradec-Tiranës, pasi një pjesë e hekurudhës ishte bllokuar nga rrëshqitja e dherave. Ka qenë sinjalizimi në kohë i vëzhguesve të Drejtorisë së Hekurudhave në Elbasan çka ka bërë të mundur ndalimin e trenit vetëm pak metra larg vendit të rrezikshëm. Mësohet se vendi ku u pikas rrëshqitja e dheut mbi hekurudhë është afërsisht 150 deri në 200 metra nga tuneli i Mirakës. Pasojat do të kishin qenë fatale për udhëtarët dhe punonjësit e trenit me 4 vagonë, pasi nëse nuk do të ishte lajmëruar makinisti ai nuk do të kishte mundësi as të ngadalësonte shpejtësinë. Ndërhyrja ka qenë e menjëhershme çka ka bërë që gjithçka të neutralizohet në kohën e duhur. Në vendin ku traseja e trenit ishte me problem kanë mbërritur menjëherë specialistë të hekurudhave nga qyteti i Librazhdit, Elbasani të cilët kanë marrë menjëherë masat për sistemimin e këtij problemi. Ndërkohë që treni porsa ka dalë nga tuneli është ndaluar dhe të gjithë udhëtarët janë detyruar të zbresin. Të gjithë udhëtarët, numri i të cilëve arrinte në afro 60 vetë, pas afro 30 minutave kanë vendosur të udhëtojnë nëpërmjet mjeteve të transportit rrugorë, drejt destinacioneve të tyre përfundimtare. Në këtë segment mësohet se shkatërrimi është një proces i pandalshëm, për shkak të prurjeve të shumta që vijnë nga mali. Ato bëjnë që të ketë rrëshqitje dherash. Pas 2 orësh, treni është vënë në lëvizje, pas pastrimit të zonës. a.k