Rama i përgjigjet Topallit: “Nuk bëhemi pjesë e një parlamenti që nuk heton zgjedhjet”
Gjatë një deklarate për shtyp dje në mbrëmje, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka kthyer përgjigje letrës që kryetarja e Kuvendit, Topalli, u dërgoi gjatë paradites së djeshme deputetëve socialistë ku i kërkonte të ndërpresin bojkotin. Rama është shprehur se “Partia Socialiste nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj për t’u bërë pjesë e një parlamenti që nuk ka kurajën të hetojë zgjedhjet. Ne besojmë te një politikë e re që radhën e punëve e përcakton në bazë të interesave dhe nevojave të njerëzve”,- tha Rama.
Ndërsa deputetja e Arta Dade, gjatë një prononcimi për mediat pak më herët u shpreh se Topalli duhet të ruajë pozicionin e saj si spikere e Kuvendit dhe të ketë vetëm marrëdhënie institucionale me deputetët. Menjëherë pas marrjes së letrës nga ana e kryetares së Kuvendit ka reaguar dje në mbrëmje zëdhënësi i selisë rozë, deputeti Saimir Tahiri. Gjatë një deklarate për mediat Tahiri e ka cilësuar këtë nismë të Topallit një përpjekje të saj për të bërë diversion politik për të joshur apo për të bërë presion mbi deputetët socialistë. Më tej ai e cilëson përmbajtjen e letrës një kërcënim antikushtetues. Ai ka theksuar dhe njëherë vendosmërinë e Partisë Socialistë për të vazhduar bojkotin dhe për të mos njohur këtë Kuvend derisa të bëhet transparenca e procesit zgjedhor dhe të hapen kutitë. “Jozefina Topallit t’i vijë turp që përdor postin për të bërë diversion duke vazhduar gjahun e Sali Berishës për të joshur apo për të bërë presion mbi deputetët socialistë, përmes kësaj letre që nuk është asgjë tjetër veçse një kërcënim antikushtetues. Sali Berisha ta harrojë se Partia Socialiste kthehet nga vendimi i saj mbi marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin”, - është shprehur Tahiri. “Sali Berisha ta harrojë se PS-ja do të pushojë së kërkuari deri në fund hapjen e kutive dhe zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit. Beteja e Partisë Socialiste është beteja e shqiptarëve për të shpëtuar nga pushteti i Sali Berishës, Jozefina Topallit dhe të gjithë atyre që çalojnë mendërisht kur flasin për Partinë Socialiste dhe mandatet e deputetëve të saj”, - është shprehur Tahiri. Ai ka theksuar se nuk mund të digjen mandatet e deputetëve socialistë, por më parë do të digjet mandati i qeverisë “Berisha”. “Nuk janë mandatet e deputetëve që rrezikojnë të digjen, por është mandati i qeverisë së Sali Berishës që do të digjet si një mandat që ushtrohet në mënyrë ilegjitime. Fatkeqësinë që i shkaktuan banorëve të Veriut me babëzinë e tyre, nuk mund ta përdorin për të cenuar qoftë edhe një fije moralin dhe fuqinë e përpjekjes sonë të shpallur, për të rikthyer demokracinë në këtë vend, duke kërkuar transparencën dhe hetimin e plotë të zgjedhjeve deri në fund dhe me çdo sakrificë. Spekulimi me fatkeqësinë që u shkaktoi njerëzve të shkretë në Veri për të bërë diversion ndaj opozitës, është ana tjetër e kësaj medaljeje të shëmtuar që u shtohet medaljeve për korrupsion, paaftësi klientelizëm, nepotizëm, dështim e plot të tjera që i qëndrojnë të varura në qafë Sali Berishës, Jozefina Topallit e maxhorancës së kthyer në çetë”, - është shprehur deputeti socialist Tahiri.
16 Janar 2010