E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Qefalia: “Qeveria të mos i fusë duart në provat e katastrofës së përmbytjeve”

Partia Socialiste i ka bërë thirrje kreut të qeverisë, Sali Berisha, të mos i futë duart në provat e katastrofës dhe kërkon nga Prokuroria të hetojë me korrektësi për të nxjerrë në dritë të vërtetën. Në një komunikim për shtyp, deputeti socialist, Xhemal Qefalia, ka bërë me dije se ka të dhëna që flasin për një përpjekje për të manipuluar e për të fshehur provat, regjistrat dhe rekordin e procedurave të ndjekura nga autoritetet për menaxhimin e rezervave ujore të hidrocentraleve. “Kështu, me gjithë deklaratat e kryeministrit Berisha për transparencë të plotë mbi atë çfarë ka ndodhur, me gjithë deklaratat e tij në mbledhje qeverie se mediat dhe publiku duhet të informohen për çdo gjë, kemi parë se si gazetarët lihen pas dere me justifikime nga më absurdet, duke u refuzuar në mënyrë të paturpshme një informacion që i takon me ligj çdo qytetari të këtij vendi", - tha Qefalia. Deputeti socialist ka kujtuar se sot, Shkodra dhe komunat e saj vuajnë pasojat shkatërrimtare të përmbytjes së shkaktuar nga hapja e portave të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit. Sipas tij, banorët e Shkodrës, Obotit, Dajçit, Velipojës panë t'u zhdukej nën furinë e ujit gjithçka që kishin pronat, shtëpitë, bizneset, punën e mundin e një jete të tërë, prandaj bëhet imperative që Drejtësia shqiptare të zbardhë të vërtetën dhe përgjegjësitë për këtë katastrofë. “I kërkojmë po ashtu Prokurorisë së Përgjithshme të veprojë me shpejtësi dhe korrektësi për të zbardhur të vërtetën dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë jo vetëm shkaktarët e tragjedisë, por edhe për të parandaluar çdo përpjekje të mundshme për të manipuluar provat", - përfundoi deputeti Qefalia.

16 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›