Meta: “Parlamenti mund të bëjë shumë më tepër me pjesëmarrjen e opozitës”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka vlerësuar dje zërat nga Partia Socialiste se mund të ndërpresin bojkotin në rast se Kuvendi zhvillon një seancë të jashtëzakonshme për përmbytjet në Shkodër. Zëvendëskryeministri Meta është shprehur se çdo nismë në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura do të konsiderohet pozitive. Ai thekson se në këtë këndvështrim, edhe Parlamenti i Shqipërisë mund të bëjë më shumë me angazhimin e opozitës. “Natyrisht, çdo veprim që rrit efikasitetin e gjithë institucioneve, përfshirë këtu dhe Parlamentin, për të përballuar këto çështje me të cilat po ndeshen banorët e Shkodrës e të Nën-Shkodrës jo vetëm sot, por edhe nesër, sepse është një proces që do të vazhdojë edhe pas evakuimit të ujit, pasi pasojat kanë mbetur atje, absolutisht është veprimi më i mirë dhe në këtë drejtim. Parlamenti mund të bëjë shumë më tepër duke pasur edhe angazhimin e opozitës”, - është shprehur zëvendëskryeministri Ilir Meta gjatë një prononcimi për mediat.
16 Janar 2010