Procesi në Hagë, Kosova nis dosjen e dytë të mbrojtjes
Kosova ka dorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë deklaratën e dytë prej 150 faqesh në mbrojtje të legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës. Në të shprehen argumentet e palës kosovare, që kundërshtojnë komentet e shteteve që konsiderojnë se shpallja e pavarësisë ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ministri i Punëve të Jashtme në Kosovë, Skënder Hyseni, tha se për dallim nga deklarata e parë e Kosovës, ku shpreheshin argumentet për pavarësinë e Kosovës, deklarata e dytë i përgjigjet të gjitha kundërshtimeve të pavarësisë së Kosovës, që Serbia dhe disa shtete të tjera i kanë deponuar te Gjykata në Hagë. Ministri Hyseni u shpreh i bindur se Kosova ka arritur sërish që të japë argumente të mjaftueshme për gjykatën, në lidhje me të drejtën legjitime të Kosovës për të qenë shtet i pavarur e sovran. “Shprehim edhe një herë besimin tonë të palëkundur në drejtësinë, në paanësinë e gjykatës, në fuqinë e argumenteve që Republika e Kosovës ka parashtruar para gjykatës”, tha Hyseni. Ministri njoftoi se GJND-ja ka vendosur të fillojë më 1 dhjetor seancat dëgjimore për procesin, pavarësisht se kjo nuk ka qenë e domosdoshme në axhendën e saj, duke shtuar se edhe Kosova do të paraqesë kontributin e saj gojor në këto seanca. Përfaqësues i Republikës së Kosovës pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe nënshkrues i të gjitha dokumenteve është ministri i Jashtëm i Kosovës, i mbështetur nga një ekip i juristëve dhe avokatëve me renome ndërkombëtare.