E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjika pritje heronjve në bashki, sot Kupa ekspozohet në stadium

Kryetari i Bashkisë së Vlorës dhe njëkohësisht presidenti i Flamurtarit, ka pritur në zyrën e tij skuadrën, pas triumfit të kësaj të fundit në Kupën e Shqipërisë. Stafi teknik, futbollistët dhe drejtuesit e ekipit i kanë dorëzuar Shpëtim Gjikës trofeun e fituar vetëm pak ditë më parë në finalen me Tiranën. Sipas tyre, kjo arritje ishte realizuar edhe falë investimit të kryebashkiakut në pesë vitet e fundit. Në atë periudhë, kuqezinjtë luanin në Kategorinë e Parë, por me mbështetjen e madhe financiare të Gjikës, ata u rikthyen në elitë dhe fituan trofeun e parë pas shumë viteve. Kupa u kthye te bregdetarët pas më shumë se dy dekadave, ndërsa skuadra nuk fitonte asnjë titull të rëndësishëm prej 18 vitesh, kur u shpallën kampion të Shqipërisë në sezonin 1990/‘91. "Për mua, ky është një prej momenteve më të lumtura. Një moment që të gjithë e prisnim me padurim dhe që të mërkurën në Durrës u konkretizua", deklaroi drejtuesi më i lartë i klubit. "Dua t‘ju falënderoj të gjithëve që u bëtë pjesë e kësaj arritjeje për Flamurtarin, futbollistë, trajnerë dhe drejtues. Në këto pesë vite është punuar për të ngritur emrin e skuadrës sonë dhe më në fund ia kemi arritur". Pas festës në Sheshin e Flamurit dhe në të gjitha rrugët e Vlorës, Kupa do të ekspozohet edhe sot në stadium, në takimin me Partizanin. Gjika shtoi: "Përpara ndeshjes së kampionatit, do t‘i japim mundësinë të gjithë sportdashësve vlonjatë të pranishëm në stadium, që ta shijojnë këtë trofe. Ju sollët festën në Vlorë, pas asaj paraqitjeje të shkëlqyer me Tiranën, duke luajtur me zemër. Kjo Kupë është plotësisht e merituar, ndërsa tashmë keni rikthyer në kujtesë emrin e madh të Flamurtarit të viteve ‘80. Ju kërkoj sforcon e fundit kundër Partizanit, për të nisur festën e madhe".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›