“Unë përballë Bushatit, Vatës dhe Tares”
Presidenti i FSHF Armand Duka ka rikonfirmuar rikandidimin e tij për postin e presidentit të FSHF, por nga ana tjetër i është përgjigjur edhe akuzave të Mehdi Bushatit, Vatës, Tares dhe Sulejman Starovës. Duka ka folur në një intervistë për “Ora News” në emisionin “Ora Sport Debat”, përballë gazetarit Nertil Agalliu, Duka ka shprehuar të gjitha pikëpamjet e tija lidhur me polemikat me presidentin e Tiranës, Refik Halili. “Duhet të ndajmë Tiranën nga Halili. Nuk është e vërtetë që FSHF është kundër Tiranës. Rreth 8 vite që kam në krye të Federatës, Tirana ka fituar 13 tituj përfshi kampionati, kupe dhe superkupe. Pra, kjo tregon shumë mendoj. Të tjerat, janë akuza të pabaza. Kam pasur dhe kam marrëdhënie korrekte me Halilin ose më mirë institucionale. Ndërsa përsa i përket të drejtës TV, Tirana ashtu si Dinamo gjykuan që të mos ishin pjesë e formulës sonë ndaj firmosën kontrata të tjera”, ka pohuar Duka.
Më tej presidenti i federatës i është përgjigjur edhe akuzave të Mehdi Bushatit, Rudi Vatës, Igli Tares dhe Sulejman Starvosë se FSHF-në duhet ta drejtojnë njerëzit e sportit. “Me Bushatin kam katër vjet që punoj, dhe ai nuk ka qenë asnjëherë kundër. Sa për mendimin e tij është i lirë të mendojë ç’të doj. Të jesh një njeri i futbollit nuk do të thotë të kesh luajtur futboll me patjetër. FSHF do organizojë një asamble korrekte. Personalisht i vlerësoj Taren, Vatën, Bushatin pasi ata mund të japin ndihmë e tyre për federatën ndaj kandidimin e quaj kontribut. Zgjedhjet do të zhvillohen brenda 6 mujorit të vitit të ardhshëm dhe unë do konsultohem me presidentët e klubeve para se të rikandidoj”, ka pohuar Duka.