Gjiknuri: KQZ, një kamikaze politike. Berisha ta kërkojë transparencën në parlament
Deputeti socialist, Damian Gjiknuri e ka cilësuar KQZ-në si kamikaze politik, për vendimin e hapjes së kutive të Lezhës dhe Shkodrës pa ia kërkuar njeri, gjë që ka future në një spirale rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit.
Ndërkohë, duke iu referuar deklaratës së Berishës se nuk i njeh zgjedhjet sepse sipas tij janë vjedhur, Gjiknuri ka thënë se ai ta kërkojë transparencën në parlament.
Sali Berisha nëpërmjet altoparlantit të tij të markës Bogdani deklaroi se nuk do të njohë zgjedhjet pa transparencën e plotë të tyre. Me pak fjalë po kërkon që përtej alibisë së humbjes për gjoja vjedhje masive nga opozita në kurriz të Kryeministrit të 21 Janarit, ta kthejë dhe në betejë politike në emër të transparencës. Kjo shpjegon qartë dhe pse KQZ ka marr rolin e një kamikazi politik që në kundërshtim me ligjin rinumëron zona të tëra zgjedhore pa asnjë shkak ligjor duke vonuar nxjerrjen e rezultatit.
Nëse Berisha është penduar për pranimin e humbjes, kjo nuk është shqetësim i askujt, përveç i tij.
Por, që ky njeri në ikje e sipër të vazhdojë të pengojë daljen e rezultatit, ky është një shqetësim popullor.
Më keq akoma kur ky njeri me inat primitiv kërkon që të pengojë rrugën europiane të Shqipërisë, duke risjellë në qendër të politikës zgjedhjet që sapo i humbi thellë. Vendi ka prioritete të tjera dhe populli e ka thënë fjalën e tij. Rezultati duhet të dalë sa më shpejt dhe qeveria e re të fillojë punë. Nëse Berisha kërkon vërtet transparence, le të kërkojë transparencë në Kuvend, gjë që ja mohoi ish-opozitës 4 vite më parë. Me këtë rast i gjen dhe një punë vetes në kuvend, shprehet Gjiknuri./b.l