Gjiknuri: PS duhet të fillojë përgatitjet për zgjedhjet lokale
Fitorja e Partisë Socialiste me protestat dhe grevën e urisë konsiston në ndërgjegjësimin e rëndësisë së zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, përcjell në intervistën e tij për “Shqip” një alternativë arsyetimi politik për selinë rozë, e cila merr në konsideratë rrethanat e reja ku ka hyrë vendi. Një bojkot i zgjedhjeve lokale do të ishte sipas tij jologjik dhe do të vinte seriozisht në rrezik sistemin ekzistues politik. Përndryshe, angazhimi 1–vjeçar i opozitës për transparencën e zgjedhjeve do nihilizohej përfundimisht me aplikimin e bojkotit elektoral, që përbën një masë ekstreme. PS disponon instrumente veprimi dhe burime njerëzore të konsiderueshme për të vënë në zbatim një politikë institucionale parlamentare mjaft efikase, e cila sipas Gjiknurit nëse ndiqet seriozisht krijon premisa reale për një fitore të thellë në zgjedhjet lokale të majit. Këto të fundit janë një stacion domethënës politik, pse konfirmimi i PS si fituese në to sipas deputetit Gjiknuri destabilizon koalicionin qeverisës që edhe si i tillë është shumë artificial.
Z. Gjiknuri, së fundmi në grupin parlamentar të PS janë marrë disa vendime të rëndësishme që kanë ndryshuar drejtimin e tij jo vetëm nominalisht, por edhe si strukturë (kam parasysh caktimin e 4 nënkryetarëve). Mendoni se kjo do të sigurojë një performim të mirë në luftën parlamentare?
Performanca e mirë e grupit parlamentar nuk lidhet thelbësisht me numrin e drejtuesve të grupit, por me krijimin e kohezionit të nevojshëm për bashkërendimin e politikave opozitare. Për t’iu shmangur klishesë, do të thotë përdorim i të gjitha mjeteve parlamentare dhe kushtetuese, si dhe burimeve jo të pakta që ka grupi parlamentar socialist në funksion të opozitarizmit, në Parlament apo kudo ku ka hapësirë për opozitarizëm politik. Dhe hapësirë ka kudo në çdo aspekt të jetës publike ku politikat qeveritare hapin plagë apo shtojnë agoninë e vendit. Një vendi që ka probleme serioze me demokracinë, drejtësinë, ekonominë, korrupsionin apo edhe me vetë zgjedhjet. Nuk ka mision më fisnik për opozitën se sa të denoncojë çdo problem me keqqeverisjen, të identifikojë përgjegjësitë e dukshme të kësaj qeverisjeje të mbrapshtë dhe të përgatisë alternativat e saj për qeverisje. Por që alternativat të marrin jetë dhe të bëhen të konkurrueshme, kërkohen zgjedhje politike të rregullta, ku qytetarët të gjykojnë të lirë dhe ku votat e tyre të llogariten siç duhet. Kjo e fundit ka qenë në themel të aksionit opozitar gjatë vitit politik që kaluam.
A mendoni se pavarësisht përpjekjeve të një viti, përfshirë edhe grevën e urisë, përsëri transparenca e kërkuar nuk u arrit, dhe kjo mund të quhet edhe një dështim i politikës së ndjekur nga PS?
Bojkoti, protestat dhe akti sublim i grevës së urisë nxiti interesin ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës, si dhe detyruan qeverinë që të ulet pa kushte në tavolinën e negocimit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme që mundëson transparencën. Do të ishte naive, edhe për më skeptikun, që të mohohej dinamika e ngjarjeve dhe e përshkallëzimit të trysnisë mbi mazhorancën dhe suksesit që ka arritur kjo veprimtari thellësisht politike. Për këdo besoj se janë të freskëta përgjigjet klishe dhe plot bezdi që dilnin nga goja e liderit të mazhorancës se kutitë nuk preken, apo se çështja e zgjedhjeve është kapitull i mbyllur. Apo më keq akoma kur opozitës i tregohej grushti i hekurt duke e kërcënuar se do t’i thyheshin nofullat apo se ishte një klikë punisto-mafioze që i kishte ditët e numëruara. Për të ardhur sot në pikën ku liderëve të opozitës dhe mazhorancës, dhe vetëm atyre, t’i kërkohet zgjidhja e krizës politike, e cila për të qenë realistë përgjegjësinë kryesore ia shkarkon mazhorancës, pasi ajo ka numrat dhe përgjegjësinë për qeverisje. Pavarësisht kokëfortësisë për të mos lejuar hetimin e plotë të zgjedhjeve nga ana e qeverisë, ngjarjet dhe tensioni i këtij viti politik do të mbeten një histori të paharrueshme për këdo që do të luajë me institucionin e votës së lirë në të ardhmen. Kjo pa droje mund të quhet edhe një arritje dytësore e politikës së ndjekur deri më tani, pasi kriza e pas zgjedhjeve ka rritur së tepërmi ndërgjegjen për nevojën e një procesi të ndershëm, si dhe interesin kombëtar dhe ndërkombëtar për çdo proces zgjedhor që do të zhvillohet në vend. Precedenti është krijuar tashmë. çdo devijim apo cenim nga standardet e larta të zgjedhjeve medoemos do të nxisë krizë politike dhe askush nuk mund ta marrë më këtë kosto përsipër në të ardhmen.
Ndërkohë, teksa Kryeministri Berisha i ka bërë ftesë opozitës të bëjë propozimet e saj për Kodin Zgjedhor, nga opozita kanë ardhur kundërshti deri në kërcënim me rifillim bojkoti me hapjen e sezonit parlamentar në vjeshtë. A është realist ky kurs politik?
Ftesa e Berishës është një ftesë nga halli që e ka zënë me krizën, për të cilën ai është plotësisht përgjegjës. është naivitet të besosh se çdo propozim i opozitës do të mund të pranohet nga Berisha. Të njëjtat deklarata klishe i kemi dëgjuar edhe për hartimin e Kodit Zgjedhor më parë, por në realitet ky proces ka qenë i vështirë juridikisht dhe politikisht dhe jo thjesht opozita paraqet një listë dëshirash dhe mazhoranca i pranon. Si për ironi, një nga të paktat propozime të opozitës që pranoi mazhoranca, neni për rinumërimin, u shkel në mënyra flagrante nga KQZ duke e bërë ligjin thjesht një garanci në letër. Natyrshëm që Kodi Zgjedhor kërkon ripunim të pjesshëm për të adresuar një sërë problemesh të evidentuara në zgjedhje, por që ligji të ketë qëndrueshmëri dhe propozimet të mos vijnë thjesht si oportunizëm politik, një hetim i procesit që kaluam është i nevojshëm. Fundja kjo është metodologjia klasike kudo në botë e cila mund të përkufizohet si zinxhiri i hetimit, gjetjeve, rekomandimeve dhe zgjidhjeve juridike. Nëse ka vullnet politik jemi akoma në kohë, pasi hetimi mund të fokusohet në disa çështje të veçanta dhe mund të përfundojë nga fundi i vjeshtës duke i lënë një ose dy muaj kohë hartimit të amendimeve ligjore. Të mos harrojmë një gjë, pasi shpesh dhe spekulohet; nuk ka nevojë për një Kod të ri Zgjedhor, por vetëm amendime të disa dispozitave që mund të aplikohen në zgjedhjet vendore, prandaj kam bindjen se puna si për hetimin edhe për amendimet e kodit mund të përfundojë brenda vitit, duke u lënë kohë zgjedhjeve, të cilat pritet të zhvillohen në maj të vitit tjetër.
Në lidhje me çështjen e bojkotit, nuk ka akoma asnjë vendim apo diskutim në forumet e Partisë Socialiste. Natyrshëm, PS nuk mund të pajtohet me statuskuonë dhe do të kërkojë reagime të matura dhe pragmatiste në funksion të objektivit të saj politik, që jo domosdoshmërisht duhet të përfshijë aplikimin e të njëjtave metoda në rrethana objektive të njëjta. çdo masë që do të merret medoemos do t’i nënshtrohet analizës në forumet e partisë se çfarë është arritur dhe çfarë mund të arrihet në të ardhmen.
Nënkupton kjo deri në një farë mase se bojkoti i zgjedhjeve vendore mbetet një opsion?
Besoj se Partia Socialiste e ka dhënë një përgjigje për këtë spekulim. Do të ishte paradoks të mendohej që forca politike e cila po lufton me çdo mjet prej një viti për zgjedhje të lira të mos ketë qëllim zgjedhjet. Partia Socialiste është njëra kolonë e sistemit politik shqiptar dhe as që mund të mendohet që të marxhinalizohet duke dalë jashtë sistemit demokratik. Nëse kjo ndodh, ose sistemi politik shqiptar rrezikohet seriozisht ose vakumin politik do ta mbushë dikush tjetër. PS-ja është një forcë sa pragmatiste aq edhe e kultivuar politikisht, dhe e kupton shumë mirë rëndësinë e zgjedhjeve. Madje ka ardhur koha që PS të fillojë përgatitjet serioze për to, pasi çdo rezultat pozitiv ka gjasa të galvanizojë një dinamikë interesante politike, duke rrezikuar seriozisht vazhdimin e këtij koalicioni në qeverisje.
#