Kryeparlamentari polak, përgëzon Berishën për reformat e ndërmarra
Kryeministri Berisha ka marrë mbështetjen e Polonisë në integrimin në NATO dhe BE. Këtë mbështetje e ka dhënë kryetari i Parlamentit të Polonisë, Bronislav Komorovski, i cili i përsëriti Berishës qëndrimin e Polonisë për mbështetjen e zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian, veçanërisht në drejtim të Ballkanit Perëndimor, si dhe garantoi kryeministrin se Polonia do të dërgojë vëzhguesit e saj për këtë proces.
Polonia i njeh sakrificat dhe mundin që duhet për të ndërmarrë këto reforma rrënjësore, thelbësore për procesin e integrimit dhe arritjet e Shqipërisë në këtë drejtim janë akoma dhe më impresionuese, u shpreh kreu i parlamentit të Polonisë, i cili ndër të tjera përgëzoi kryeministrin Berisha për arritjet e gjithanshme që ka bërë Shqipëria dhe për anëtarësimin e saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut brenda pak ditësh. Ndër të tjera, ai shprehu vlerësimet më të larta për reformat e thella që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në 4 vitet e fundit dhe nënvizoi se rezultatet e tyre janë impresionuese. Ndërsa nga ana e tij, kryeministri Berisha ka vlerësuar se anëtarësimi në NATO për Shqipërinë përbën ngjarjen më të madhe pas pavarësisë. Gjatë fjalës së tij, kryeministri u shpreh se katër vjet më parë, procesi i integrimit kishte ngecur përballë dy mureve, krimit të organizuar dhe korrupsionit që pengonin progresin e tij. Kryeministri Berisha tha se qeveria e sheh procesin e integrimit në BE si projektin më madhor pas anëtarësimit në NATO. Duke u ndalur në procesin zgjedhor, kryeministri Berisha garantoi Kryetarin e Parlamentit të Polonisë për angazhimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe e ftoi atë që vendi i tij të dërgojë sa më shumë vëzhgues. Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha theksoi luftën me zero tolerancë që qeveria ndërmori kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit, dhe sipas raportit të Transparency International, Shqipëria la pas 95 vende të globit në luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, kryeministri theksoi se me reformën fiskale, Shqipëria është shndërruar në një vend shumë tërheqës për investimet e huaja.