E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftesa e LSI, drejtuar krerëve të së majtës

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ditën e shtunë ftoi zyrtarisht në një takim të përbashkët, të gjithë krerët e partive tradicionale të majta, të rinj dhe të vjetër, ku përfshihen socialistët, Social Demokratët, Demokracia Sociale dhe PSV 91. Objektivi i përbashkët i këtij takimi është largimi i Berishës, që sipas Metës mund të realizohet në mënyrë më të sigurt duke vendosur dhe forcuar përpjekjet e përbashkëta e të gjithë opozitës dhe të majtës progresiste. Sipas tij, kjo thirrje në radhë të parë i drejtohet kryetarit të PS-së, Edi Rama, si kryetari i forcës politike më tradicionale. Së dyti thirrja ime i drejtohet gjithë personaliteteve dhe figurave të tjera përfaqësuese, institucionale, por edhe tradicionale apo historike. Natyrisht thirrja ime i drejtohet edhe z. Nano, ashtu siç i drejtohet edhe z. Meidani, që është një figurë shumë e rëndësishme dhe faktorëve të tjerë, se janë faktorë të paneglizhueshëm, ka theksuar Meta duke shtuar se ndikimi dhe kontributi i tyre do të ishte veçse pozitiv për të ecur në një drejtim të përbashkët. Duke e quajtur takimin një moment kyç për fitoren e opozitës, Meta theksoi se ai do të ndikojë gjithashtu në rritjen e klimës së besimit mes të gjitha forcave të majta dhe progresiste. Objektivi ynë i përbashkët, largimi i Berishës mund të realizohet në mënyrë më të sigurt duke vendosur dhe forcuar përpjekjet e përbashkëta e të gjithë opozitës dhe të majtës progresiste. Prandaj duke ndjerë këtë përgjegjësi të veçantë dhe historike, do të ftoj në një takim ditën e hënë të gjithë faktorët politikë, institucionalë dhe historikë, të rinj dhe të vjetër të të majtës, me qëllim vendosjen e një fryme sa më të gjerë bashkëpunimi, midis të gjithë partive të majta dhe progresiste, nënvizoi ai. Sipas Metës, kjo ftesë bëhet me qëllimin e vendosjes së frymës sa më të gjerë bashkëpunimi midis të gjithë partive të majta në mënyrë të veçantë të mbrojtjes së procesit zgjedhor nga çdo manipulim. Ndër të tjera në konferencën për shtyp, lideri i LSI i ka konsideruar zgjedhjet e 28 Qershorit vendimtare për të ardhmen dhe të sotmen e Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë në ndikim të mbrojtjes së procesit zgjedhor në 28 Qershor nga çdo manipulim dhe presion i mundshëm, në ndërprerjen e diversionit të forcave të majta dhe progresiste ndaj njëra-tjetrës, si dhe në krijimin e një fryme të besimit dhe të fitores në të gjithë elektoratin e majtë dhe progresistë, vijoi kreu i LSI.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›