E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Largimi i Berishës, nëpërmjet bashkimit të votave për PS

Pas ftesës së kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, për bashkim të gjithë së majtës në zgjedhjet e 28 Qershorit, Partia Socialiste në reagimin e saj zyrtar, refuzoi pjesëmarrjen e saj. Nëpërmjet kandidatit për deputet, Sajmir Tahirit, selia rozë ka sqaruar një ditë më parë faktin se është pro bashkimit të opozitës, por rruga më e mirë për ta bërë këtë është që LSI të votojë për numrin 33, pra për PS. Sipas Tahirit, vetëm duke votuar për PS-në, garantohet vota për ndryshimin historik dhe fundi i politikës së vjetër të së shkuarës. Duke shprehur kënaqësinë që edhe Ilir Meta pranoi më së fundi qëndrimin tonë, se largimi i Sali Berishës është një domosdoshmëri, theksojmë se kjo mund të realizohet vetëm duke i bashkuar të gjitha votat, për Partinë Socialistë, bëri të qartë Tahiri, pa pranuar kështu mbledhjen e liderëve politikë në takimin e ditës së djeshme, të iniciuar nga Meta. Ndër të tjera Tahiri ka theksuar në emër të Partisë Socialiste se duhet të mbyllet kapitulli i politikës së vjetër, për tu hapur kapitulli i politikës së re. Pikërisht për këtë arsye, ne e ftojmë Ilir Metën të japë kontributin e tij konkret, në këtë drejtim, duke iu bashkuar apelit tonë që më 28 qershor, të gjithë duhet të votojnë Partinë Socialiste të Shqipërisë, numrin 33. Sepse vetëm duke votuar për Partinë Socialiste të Shqipërisë, garantohet vota për ndryshimin historik dhe fundi i politikës së vjetër të së shkuarës, theksoi Tahiri në emër të Partisë Socialiste. Ai theksoi se zgjedhjet e 28 Qershorit, janë historike për të ardhmen e përbashkët, duke i vlerësuar ato si zgjedhjet historike, që sipas tij do i japin çdo shqiptareje dhe shqiptari, shpresë për të ardhmen. Kështu, në mënyrë tepër të qartë, PS i kërkon Metës që, nëse vërtetë pretendon bashkëpunim, atëherë kjo formë bashkëpunimi mes forcave të majta, duhet të vijë nëpërmjet votës që LSI, duhet të japë për këtë forcë politike në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit, shtoi Tahiri. Ditën e shtunë, kreu i LSI-së, Ilir Meta kërkoi bashkimin e të gjithë faktorëve të majte për të rrëzuar, sipas tij, pushtetin e Berishës dhe për të siguruar fitoren e sigurt në zgjedhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›