E Diel, 1 Nëntor 2026

Boboshtica, fshati turistik ku do të votojnë 35 të vdekur

Fshati turistik në Korçë, Boboshtica edhe pse nga numri i banorëve është i pakët, në listat e votuesve ai mbi popullohet. Aktualisht në këtë fshat  rezultojnë si të regjistruar në librat e gjendjes civile 287 banorë. Gjatë stinës së verës në Boboshticë numri më i madh i banorëve arrin në të paktën 150 persona, pasi emigracioni i ka rrëmbyer të gjithë. Por, realiteti është krejt i ndryshëm në listat zgjedhore për këtë fshat. Aktualisht në listat e shpallura në këtë fshat rezultojnë si banorë të tij votues plot 1020 vetë, ndërkohë që ka mbiemra që sipas banorëve të fshatit nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e tij. Boboshtica e njohur për traditat e saj të hershme, është populluar tradicionalisht me popullsi që ka besimin ortodoks, ndërsa në listat zgjedhore figurojnë dhe emra që nuk janë pjesë e këtij besimi, por i përkasin besimit mysliman, duke vënë në pikëpyetje vërtetësinë e këtyre listave. Duket se fshati i njohur për natyrën e tij të mrekullueshme dhe kishat e shumta të hershme, njëra prej të cilave vjen nga shekulli i XIV, është bërë i njohur gjatë 10 vjeçarit të fundit edhe për  tavernat e tij të shumta. Në stinën e dimrit në Boboshticë ka vetëm 70-80 banorë, ndërsa piku i tyre arrin në verë, ku dyfishohet ky numër. Por, duket se hartuesit e listave zgjedhore nuk kanë marrë parasysh asnjërin nga këto fakte, dhe fshati është trefishuar duke numëruar pas shpalljes zyrtare të zgjedhësve mbi 1020 votues. Nuk dihet se sa do të jetë numri real i atyre që do të shkojnë të votojnë në datën 28 qershor në një vend, ku banorët numërohen me gishtat e dorës dhe ku aktualisht në listat zgjedhore ka emra që nuk i përkasin këtij fshati dhe traditës së tij të veçantë që është populluar gjithmonë nga banorë me besim ortodoks. Në listat zgjedhore të bëra publike ka për më tepër dhe emra personash të vdekur, ndoshta dhe dy apo më shumë dekada më parë. Kështu janë plot 35 persona, të cilët prehen në varrezat e këtij fshati, ndërsa do të jenë pjesëmarrës në votime të paktën sipas listave zgjedhore  të shpallura disa kohë më parë në ambientet publike të këtij fshati.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›