Klosi e Gashi, takime me banorët e Shën Vlashit
Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste, Blendi Klosi dhe Hazir Gashi zhvilluan një takim me banorët në zonën e Shën Vlashit. Kandidatët u njohën me problemet e zonës dhe premtuan se kjo gjendje do të ndryshojë pas fitores së Partisë Socialiste më 28 Qershor. Në një takim masiv me banorët e zonës, Klosi ka prezantuar në Shën Vlash programin e ri të PS-së, një program që nuk synon thjesht të marrë votat e qytetarëve, por një program qeverisës i mirëmenduar për të ndryshuar tërësisht të ardhmen e Shqipërisë.
Një nga shtyllat e programit qeverisës është zhvillimi rural si mundësi për të luftuar varfërinë dhe papunësinë. "Në programin e saj, Partia Socialiste synon të sigurojë akses në rritje për shërbime cilësore për popullsinë rurale në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, furnizim me ujë të pijshëm, infrastrukturë rrugësh rurale dhe kanalizime" u shpreh Klosi. Kandidati tjetër për deputet i PS-së, Hazir Gashi theksoi se ekonomia shqiptare ndodhet në një situatë të vështirë jo vetëm dhe thjesht për shkak të krizës globale. "Kryeministri Berisha e ka qeverisur vendin thjesht për interesat e ngushta të familjes së tij, dhe kjo situatë do të ndryshojë me datë 28 Qershor, me fitoren e Partisë Socialiste. Programi jonë është i vetmi që do të nxjerrë vendin nga kriza " u shpreh Gashi.