Gjimnastët kuqezi, në Botërorin e Londrës me shpenzimet e tyre
Sportistët shqiptarë që do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Gjimnastikës, i cili do të zhvillohet në Londër nga data 14 deri më 18 tetor, janë të detyruar t‘i paguajnë nga xhepi i tyre shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit. Një çudi me etiketën "Made in Albania", që ndodh në vitin 2009. Edhe pse ata përfaqësojnë vendin tonë në aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare, askush nga përgjegjësit nuk bën sforcon minimale për të gjetur një zgjidhje: fondet e FSHGJ-së janë të "ngrira" prej "luftës" për kreun e federatës, ndërsa Ministria e Sporteve (shkaktarja kryesore e konfliktit) nuk ka shfaqur ndjeshmëri ndaj kësaj situate. Gjithçka ka filluar në muajin shkurt, kur presidenti Flobenc Dilaveri anuloi Asamblenë Zgjedhore për shkak të manipulimit të disa mandateve. MTKRS-ja nuk e mori parasysh vendimin e drejtuesve më të lartë të Gjimnastikës dhe organizoi një tjetër asamble, e cila zgjodhi si president ish-deputetin Aleksandër Biberaj. Megjithatë, pas mbështetjes nga Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës (FIG), Dilaveri ruajti statusin e kreut të federatës edhe nëpërmjet shkallëve të drejtësisë, duke filluar nga Këshilli i Arbitrazhit Sportiv. Edhe Gjykata e Tiranës i dha të drejtë anëtarit aktual të Ekzekutivit të KOKSH-it, ndërsa ngërçi është krijuar nga Përmbarimi, që ende nuk ka zbatuar urdhërimin për largimin e drejtuesve paralelë, të cilët duhet të lirojnë zyrat e FSHGJ-së dhe mbajnë peng fondet për sportistët. Por në fund, viktimat janë pikërisht gjimnastët, të cilët kanë pranuar t‘i sigurojnë personalisht financat për të marrë pjesë në Botëror, me premtimin se paratë do t‘u rimbursohen sapo situata të normalizohet. Në këtë eveniment, Shqipëria do të përfaqësohet nga Alon Hasa dhe dy vajzat Ornela Çuka dhe Riselda Selaj, ndërsa shpenzimet mesatare për secilin sportist kapin shifrën 1000 euro. Ndihma e vetme deri në këto momente është ajo e Komiteti Olimpik, që pasi mori përsipër të paguante "faturën" e gjimnastëve në Lojërat Mesdhetare të Peskaras, ka kontribuuar me pagesën për regjistrimin në Londër. "Personalisht më vjen turp që t‘i kërkoj sërish ndihmë drejtuesve të KOKSH-it, pas ndihmës në Peskara", pohoi presidenti i FSHGJ-së, Dilaveri. "Fondet ekzistojnë, ato janë miratuar nga Ministria e Sporteve, por vazhdojmë të presim përgjigje nga ky institucion për zgjidhjen e kësaj situate. Deri më tani shqetësimi ynë, i këtyre sportistëve që përfaqësojnë vendin, ka rënë në vesh të shurdhët. Për të mos humbur aktivitetin, kemi bërë një pakt me gjimnastët dhe prindërit e tyre: ata janë të gatshëm të sakrifikojnë nga të ardhurat e tyre për të qenë në Botëror, ndërsa ne si federatë do t‘u rimbursojmë gjithçka, sapo të rifillojnë funksionet normale". Sot, pesë gjimnastë shqiptarë (katër djem dhe një vajzë) janë nisur drejt Maqedonisë, për Kampionatin Ballkanik për të rinj, më 25-26 shtator, ku sërish fondet mbeten problemi kryesor. Për pjesëmarrjen e Shqipërisë, garante ka dalë federata e vendit fqinj, e cila do të paguajë pjesën më të madhe të shpenzimeve.