E Diel, 1 Nëntor 2026

Sportistët, letër Kryeministrit: Na ndihmoni të përballojmë shpenzimet

Problematika me drejtuesit paralelë që zaptojnë Federatën Shqiptare të Gjimnastikës, duke mbajtur peng fondet për pjesëmarrjen në aktivitete dhe shpërfillja nga MTKRS i ka detyruar gjimnastët e Kombëtares shqiptare të kërkojnë ndihmë në Kryeministri. Nëpërmjet një letre, ata i kanë parashtruar kreut të ekzekutivit problematikën e tyre. "I nderuar zoti Kryeministër! Jemi tre gjimnastë të ekipit Kombëtar që po ju shkruajmë për t‘ju kërkuar ndihmën tuaj për të përballuar shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit disaditor në Londër, ku do të përfaqësojmë Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Gjimnastikës", citohej në kërkesën për Kryeministrin Berisha. "Për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet drejtuesve të federatës, e cila ka dy presidentë dhe dy sekretarë, askush nuk na mbulon shpenzimet dhe jemi të detyruar t‘i paguajmë ato personalisht. Ministria e Sporteve e ka miratuar fondin për këtë aktivitet, por federata nuk na jep paratë e nevojshme për shkak të këtyre konflikteve! Karriget e tyre janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër". Hasa, Çuka dhe Selaj theksonin për shefin e qeverisë se janë të gatshëm për çdo lloj sakrifice, për përfaqësimin e vendit, por kjo që po ndodh nuk është logjike. "Shpenzimet në një qytet si Londra janë disa herë më të larta sesa pagat disamujore të prindërve tanë, por ne jemi të vendosur të shkojmë në këtë aktivitet. Përfaqësimin e Shqipërisë e konsiderojmë nder dhe detyrë, e për të jemi të gatshëm të bëjmë çdo sakrificë, por jo për arsye të tilla. Kjo është e tepërt. Duke kërkuar ndihmën tuaj si prind e Kryeministër, po bëjmë aktin e fundit përpara nisjes sonë, pasi të gjitha dyert e tjera na janë mbyllur", përfundonte letra e gjimnastëve kuqezinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›