E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria vlerëson liberalizimin e vizave nga qeveria maqedonase



Konfindustria, në emër të interesave të industrive më të rëndësishme në Shqipëri, përshëndet ratifikimin nga Kuvendi i Maqedonisë të marrëveshjes për liberalizmin e plotë të sistemit të vizave me vendin tonë dhe kërkon kryerjen e të njëjtit veprim në mënyrë të përshpejtuar edhe nga ana e Kuvendit të Shqipërisë me qëllim bërjen të mundur të zbatimit në praktikë të lëvizjes së lirë së njerëzve. Konfindustria, shpreh shqetësimin e saj për mosratifikimin e deritashëm nga Kuvendi i Shqipërisë të marrëveshjes për liberalizmin e vizave, duke e lënë shtetin shqiptar në mënyrë të pakuptueshme dhe të papranueshme vetëm në pozita pritëse dytësore, ndërkohë që interesi si shtet dhe si komb është shumë më i madh në anën ekonomike dhe gjeostrategjike për aktin e mësipërm sesa për vetë shtetin maqedonas. Së pari, vonesat në ratifikim nga Kuvendi i Shqipërisë dhe procedurat ligjore të domosdoshme për t’u respektuar për hyrjen në fuqi të marrëveshjes për vizat do të shkaktojnë humbjen e përfitimit ekonomik nga akti në fjalë për sezonin turistik të vitit 2008. Duhet të kemi parasysh se bëhet fjalë për maksimizimin e përfitimeve për industrinë e turizmit në Shqipëri me shtimin e numrit të turistëve me qytetarë të kombësisë maqedonase, që kushtëzoheshin drejtpërdrejt nga një akti i tillë. Industria e turizmit është mjaft e rëndësishme për ekonominë e vendit tonë me pothuaj mbi 600 milionë euro të përvitshme të ardhurash. Së dyti, përfitimi i ekonomisë shqiptare nga lehtësimi i sistemit të vizave me Maqedoninë do të thotë drejtpërdrejt nxitje e shkëmbimit tregtar me Maqedoninë, Kosovën dhe rajonin, sepse ndikon në uljen e kostove tregtare përkatëse. Aq më shumë nëse kihet parasysh se ndërtimi i rrugës Durrës–Kukës kërkon ende një kohë relativisht të gjatë për të qenë një alternativë konkurruese në transport me sistemin rrugor të Maqedonisë. Së treti, liberalizmi i vizave ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë është mjaft i rëndësishëm për krijimin e Tregut të Hapur Shqiptar dhe Rajonal me përfitim të jashtëzakonshëm ekonomik në radhë të parë për qytetaret shqiptarë. Konfindustria, duke e konsideruar të gabuar dhe me pasoja të krijuara krejt në mënyrë të paarsyeshme për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë vonesën e ratifikimit të marrëveshjes nga Kuvendi i Shqipërisë, kërkon kalimin urgjent me procedurë të përshpejtuar dhe marrjen e masave përkatëse për hyrjen në fuqi sa më shpejt të liberalizmit të vizave me Maqedoninë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›