E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjimnazet, nxënësit duhet të bëjnë përzgjedhjet për të marrë tekstet



Tekstet e lëndëve me zgjedhje për gjimnazistët do të gjenden në librari, pasi vetë nxënësit të kenë bërë përzgjedhjen e tyre. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu. Vejsiu thotë se tekstet e lëndëve me zgjedhje do të jenë gati në momentin e duhur, ndoshta edhe pas fillimit të vitit të ri shkollor, kur dhe nxënësit të kenë bërë zgjedhjet e duhura. “Janë në proces dhe në kohën që do t’i duhen nxënësve për t’i përdorur, ata do i kenë. Janë libra të një karakteri tjetër dhe nuk mund të deklarohet sasia që do të prodhohet”,- sqaron më tej Fatmir Vejsiu. Në vitin shkollor 2009-2010, për herë të parë do të fillojë të zbatohet struktura e re e përbërë nga dy pjesë, kurrikula bërthamë dhe ajo e lirë. Kurrikula me zgjedhje të lirë në klasën e dhjetë gjimnaz do të përmbajë lëndët: Matematikë të avancuar, Letërsi të avancuar, Informatikë, si dhe disa gjuhë të huaja. Këtë vit, në kuadër të reformës së Altertekstit janë hedhur në treg dhe tekste të shtëpive të huaja botuese për lëndët: Fizikë, Kimi, Gjuhë frënge, Italiane dhe Gjermane. Ndërsa porsa i përket shpërndarjes së teksteve shkollore në librari, autoritetet e Ministrisë së Arsimit deklarojnë se librat e sistemit parauniversitar, i cili pritet të çelet më 14 shtator janë shpërndarë në të gjitha libraritë. Sipas Vejsiut, shpërndarja e librave është bërë në masën 90 për qind, ndërkohë që qytetarët po pajisen dhe me faturat përkatëse për përfituar edhe subvencionim për tekstet e blera.

7 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›