E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kualifikimi 2010, Ministria e Arsimit përcakton mësuesit që do të testohen

MASH-i urdhëron drejtoritë arsimore të nisin punën për kualifikimin e arsimtarëve

Jonida Tashi

Ministria e Arsimi përcakton kategoritë e arsimtarëve që do t’i nënshtrohen testimit të kualifikimit për vitin 2010. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, Ministria e Arsimit ka kërkuar nga drejtoritë arsimore dhe zyrat arsimore (DAR/ZA) që të planifikojnë në punën tyre për vitin 2009-2010 kualifikimin e mësuesve 2010. Kështu, sipas kushteve të vendosura nga MASH-i, provimit të kualifikimit për vitin e ardhshëm do t’i nënshtrohen të gjithë mësuesit, të cilët mbushin 5, 10, 20 vite pune në arsim deri në fund të dhjetorit 2009. Për këtë arsye, drejtoritë arsimore duhet të nisin menjëherë punën për të identifikuar mësuesit që plotësojnë vjetërsinë e punës në arsim. Pas detajimit të këtyre emrave, drejtoritë arsimore do t’i pajisin mësuesit me programet e kualifikimit të dërguara nga Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit (IKT). Në vazhdim të këtij procesi do të zbatohen dhe udhëzimi i ri i MASH-it si dhe kriteret që do të hartojë IKT-ja për kualifikimin 2010.
Mësuesit
Mësuesit që deri në datën 31 dhjetor 2009 do të kenë punuar 5 vite pune si arsimtar kanë të drejtë të aplikojnë për shkallën e tretë të kualifikimit. Në shkallën e dytë të kualifikimit do të pranohen për t’u testuar arsimtarët që kanë punuar 10 vjet në arsim. Edhe më e madhe bëhet vjetërsia e punës në arsim kur bëhet fjalë për shkallën e parë të kualifikimit, e cila është edhe më e preferuara nga mësuesit. Për t’i dhënë mundësinë vetes që të testohet për të fituar shkallën e parë të kualifikimit një mësuesi i duhet të ketë punuar plot 20 vjet arsim. Nga vlerësimi sipas meritës, mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind.
Udhëzimi
Udhëzimi i MASH-it për trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve për vitin 2010 urdhëron të gjithë sektorët e kualifikim-trajnimit në DAR-të dhe sektorët e këshillimit në ZA-të, mbështetur në përvojat pozitive të punës së kopshteve-pilot, të marrin të gjitha masat që në muajin shtator të programojnë dhe të realizojnë veprimtari kualifikuese. Më konkretisht në këto veprimtari duhet të përfshihen: programimi i integruar i veprimtarisë mësimore-edukative në bazë të temave mujore, javore dhe ditore; përfshirja aktive e fëmijëve në veprimtarinë mësimore-edukative, duke e individualizuar këtë proces, sipas nevojave dhe interesave të fëmijës; sigurimi i bazës materiale didaktike të nevojshme, duke aktivizuar përdorimin e materialeve të riciklueshme; përfshirja aktive e prindërve në procesin mësimor-edukativ. Ndërsa për zbatimin cilësor të kurrikulës shkollore, në shkollat e arsimit bazë të pakicave kombëtare, DAR/ZA-të përkatëse duhet të ngrenë grupe pune për trajnimin e mësuesve të pakicave kombëtare, duke i përfshirë ata në kualifikimin e përgjithshëm që zhvillohet me të gjithë mësuesit sipas profileve.

Mësuesit e klasës së dhjetë, kush certifikohet pas trajnimit

Mësuesit e klasës së dhjetë do t’i hedhin të parët hapat për t’u futur në procesin e kualifikimit. Sipas udhëzimit të MASH-it, gjatë muajit shtator 2009, DAR-ZA-të duhet të menaxhojnë trajnimin e mësuesve të klasës së dhjetë. Për t’i paraprirë nisjes së përgatitjeve për trajnimin e këtyre mësuesve, gjatë periudhës qershor-shtator 2009, IKT-ja ka trajnuar dhe ka pajisur me literaturë profesionale të gjitha rrjetet lokale që përfaqësojnë të 37-të DAR-ZA-të e vendit, për trajnimin e mësuesve të të gjitha lëndëve të klasës së dhjetë të gjimnazit. Mësuesit e lëndëve “Shkencë e tokës”, “Arte”, “Trashëgimi kulturore”, “Aftësim për jetën”, që do të japin mësim në klasën e dhjetë të gjimnazit pas trajnimit të tyre do t’i nënshtrohen procedurës së certifikimit.

Mësuesit e gjuhëve të huaja, trajnim më të avancuar për kualifikim

Trajnimi dhe kualifikimi i mësuesve të gjuhëve të huaja krahas praktikave të hartuara nga IKT-ja dhe DAR/ZA-të për zhvillimin e brendshëm profesional të tyre do të mbështetet në njohjen dhe zbatimin në klasë të Kuadrit të Përbashkët Evropian të referencave për Gjuhët. Për këtë, IKT-ja do të hartojë një plan kualifikimi të veçantë për trajnimin e mësuesve për njohjen dhe zbatimin në praktikë të Kuadrit të Përbashkët Evropian të Referencave për Gjuhët, dokument i cili përbën bazën kurrikulare të mësimdhënies dhe mësimnxënies së gjuhëve të huaja, duke e koordinuar dhe me zbatimin e tij në klasë përmes Portofolit Evropian të Gjuhëve. Ky dokument duhet të njihet, të zbatohet nga mësuesit dhe të jetë pjesë e vlerësimit të tyre.

Kualifikimi, mësuesit që do të përfshihen
Me diplomë mësuesie, me emërim definitiv ose në pritmëri
Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat e mesme profesionale ose të përgjithshme dhe kanë kontratë individuale pune
Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat profesionale me status kombëtar
Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët e edukimit muzikor ose të edukimit figurativ dhe kanë kontratë individuale pune.

Vjetërsia e punës në arsim për tu kualifikuar
Provimeve të kualifikimit do t’i nënshtrohen vetëm punonjësit të cilët, deri më datën 31 dhjetor 2009, plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim:
5 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit
10 vjet, për shkallën e dytë të kualifikimit
20 vjet, për shkallën e parë të kualifikimit

7 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›