E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrave, periudha e përhapjes do të nis nga nëntori deri në mars



Gripi i derrave do të përhapet me ritme të shpejta në vendin tonë duke filluar nga muaji nëntor deri në muajin mars. Të paktën ky është parashikimi që kanë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) për përhapjen e virusit A/H1N1 në vendin tonë. Megjithëse për botën periudha e nxehtë ku do të shënohet edhe numër i lartë i pacientëve të prekur nga A/H1N1 do të jetë mesi i muajit dhjetor deri në mesin e muajit janar, në vendin tonë problemet dhe fluksi i pacientëve të prekur nga viroza e gripit të zakonshëm është muaji nëntor deri në mars. Sipas specialistëve të ISHP-së, gjatë këtyre muajve do të shihet me saktësi nëse do të ketë ndryshime të virusit të derrit A/H1N1, nëse influenca do të pësojë mutacione, apo do të ketë një kombinim virozash mes gripit të derrit dhe gripit të zakonshëm. Sipas të dhënave që janë diskutuar mes specialisteve të shëndetësisë, parashikohet se në vendin tonë nga virusi A/H1N1 do të preket 30-40 për qind e popullsisë. Nga këto raste, pjesa më e madhe do të jetë e formave të thjeshta dhe një pjesë e vogël e formave të rënda. “Nuk mund të bëhen parashikime të sakta, mund të ketë pakësim të rasteve, por mund të ketë edhe shtim të rasteve. Mesatarja që është diskutuar jo vetëm për vendin tonë, por edhe në vende të tjera, është nga 30 deri në 40 për qind e popullsisë”,- sqaron specialisti i Departamentit të Epidemiologjisë, Dritan Ulqinaku. Sipas tij, autoritetet shëndetësore shqiptare kanë raportuar se mesatarja e rasteve që do të preken nga gripi i derrit do të jetë 30 persona në javë.

7 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›