Gjimnazi i Shkozetit, mësimi zhvillohet vetëm kur nuk bie shi
Vijimi i rregullt i procesit mësimor në një nga shkollat e mesme të Durrësit është në varësi të kushteve atmosferike dhe vendimit të bashkisë për të shmangur problemin. Reshjet e shiut gjatë natës dhe në të gdhirë të ditës së premte kanë përmbytur plotësisht oborrin e shkollës së mesme të përgjithshme "Olsi Lasko" në Shkozet të Durrësit. Nxënës dhe mësues kanë zbathur këmbët dhe kanë hyrë në ambientet e brendshme të shkollës. Të tjerët kanë përdorur territorin e objekteve fqinje dhe kanë kapërcyer rrethimin për t‘u gjendur në klasa, ndërsa oborri i shkollës ka qenë krejtësisht i përmbytur nga ujërat. Mësimi ka nisur me disa orë vonesë, ndërsa janë vënë në dijeni Bashkia e Durrësit dhe Drejtoria Arsimore Rajonale. "Situata është emergjente dhe nuk mund të vazhdohet kështu. Kemi dërguar kërkesën tonë për ndërhyrje në bashki dhe pranë DAR-it. Problemi është i njohur, por reagimi i dobët", tha drejtori i shkollës, Edmond Ilia. Në këtë shkollë, një vit më parë është kryer një investim për rikonstruksion të pjesshëm, por nuk u bë asgjë për nivelimin dhe shtrimin e oborrit. Pritet që situata të vlerësohet në terren nga zyrtarët e bashkisë dhe të ndërhyhet gjatë verës, në mënyrë që vjeshta dhe viti i ardhshëm shkollor të mos prodhojnë të njëjtin shqetësim.