E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshen-Kalimash, miratohet me debate kredia 230 milionë euro

Kuvendi ka miratuar me 58 vota pro kredinë 230 milionë euro për financimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës. Deputetë të opozitës e kanë kundërshtuar marrëveshjen për marrjen hua të këtyre parave për faktin se po rëndon xhepat e shqiptarëve. Por vet ministri i Financave u shpreh i sigurt se, mundësitë për shlyerjen e kredisë janë të mëdha, duke u nisur nga performanca e mirë tatimore. Ministri foli për kredinë, duke thënë se, në të ardhmen nevojat e financimit të investimeve publike në Shqipëri do të përballohen nëpërmjet procedurave konkurruese të tregut. Ministri Bode theksoi se që nga viti 2006 investimet publike nuk financohen vetëm me borxhe, por edhe me të ardhurat nga tatimet dhe taksat.

Malaj

Duke marrë shkas nga kredia 230 milionë euro e akorduar për financimin e rrugës, ka reaguar Malaj, duke thënë se, me këtë borxh po rëndohet edhe më shumë deficiti buxhetor. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, mendon se qeveria ka dështuar në tre drejtime në fillimin e vitit 2008. Sipas tij nuk është mundësuar zbutja e varfërisë në rritje, ashtu sikurse është dështuar thithja e investimeve të huaja në ekonomi. Një tjetër kritikë e Malajt ka të bëjë me dështimet në investime, çka sipas tij mund të rrezikojnë stabilitetin e ekonomisë. PS-ja pretendon se struktura e të ardhurave, rritja e të ardhurave, vjen kryesisht nga tatime indirekte dhe tatimi i të ardhurave personale. Ndërsa barrën në rritje e kanë përballuar konsumatorët me të ardhura të pakta në vendin tonë. "Kjo tregon se varfëria është duke u rritur me ritme të shpejta", konstaton Malaj. Ndërsa shton se tejkalimi i të ardhurave nga TVSH-ja është realizuar vetëm në doganë dhe ka mosrealizim në tatime. Kjo, sqaron ai, e rëndon akoma më shumë pjesën e biznesit, duke rënduar situatën e likuiditeteve edhe për shkak të mos rimbursimeve. "Tejkalimi me 2 miliardë lekë i tatimit mbi të ardhurat personale, vetëm pasi ka filluar të tatohet edhe minimumi jetik, imponon ndërtimin e një skeme kompensuese për të varfrit", tha Malaj.

Harasani, kritika për kredinë

"Qeveria shqiptare si murgjit bizantinë"

"Qeveria shqiptare i ngjan atyre murgjve bizantinë që kur turqit ndodheshin në portat e Kostandinopojës, debatonin për seksin e engjëjve". Ky ishte konstatimi i djeshëm i deputetit Andis Harasani lidhur me debatin për 230 milionë euro kredi tregtare me qëllim asfaltimin e rrugës Durrës-Kukës. Sipas deputetit të PS-së, përpara bukës së kërcënuar të gojës, diskutimi për asfaltin e rrugëve, i ngjan dilemës nëse engjëjt janë meshkuj apo femra. "Edhe brenda Unazës së Vogël të Tiranës, dhjetëra mijëra familje shqiptare e marrin bukën veresie, duke shënuar emrin në listat e turpit të kohëve moderne", u shpreh ai. Ai shtoi se "mbreti i vërtetë në Shqipëri, për turpin e qeverisë që nuk sheh dot as përtej dritareve të zyrave të saj, çdo ditë e më shumë po bëhet uria". Harasani nënvizoi faktin se kredia që po parashikohet të marrë shteti shqiptar është një tjetër shtysë drejt greminës ekonomike ku po rrokullisemi të gjithë. Ai u ndal tek nevoja për ndërtimin e kësaj rruge të dobishme për të gjithë faktorin shqiptar në rajon dhe me ngarkesë të madhe gjeopolitike dhe patriotike dhe së dyti te mënyra e keqe me të cilën është nisur financimi i saj. Këtë vit, sipas të gjitha parashikimeve, deficiti buxhetor do të jetë më i lartë se një vit më parë, ku në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, është pothuaj tre herë më i lartë. "Si të mos mjaftonte kjo tablo e zymtë, për çudinë e të gjithëve dhe pavarësisht se zëri investime nuk realizohet, Shqipëria vendos të marrë sërish një kredi me shifra astronomike për rrugën Durrës-Kukës", përfundoi Harasani.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›