E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, kritika politikave të BSH-së

Vijnë kritikat e para për Guvernatorin Ardian Fullani, për politikat që ndiqen drejt stabilitetit të çmimeve, inflacionit të lartë dhe normës së interesit, tashmë të shtrenjtuar. Pas më shumë se tre vjetësh në krye të Bankës së Shqipërisë, kreu i institucionit monetar më të rëndësishëm në vend është përballur kësaj here, jo me mediat apo me drejtuesit e bankave tregtare, por me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk kanë kursyer kritikat ndaj situatës ekonomike-financiare që po përballet vendi. Shkak i debatit të zhvilluar dje është bërë Raporti Vjetor 2007, i paraqitur për miratim në Kuvend nga Banka e Shqipërisë. Pasi lexoi për rreth një orë pjesët kryesore të raportit rreth ecurisë së ekonomisë së vendit, radha i takoi deputetëve të forcave të ndryshme politike. Ata kërkuan nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, se çfarë masash janë marrë për të mbajtur nën kontroll inflacionin, çmimet e konsumit, si dhe për zhvillimin e sektorit bujqësor, i cili për vitin 2007, rezultoi në rënie 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Debati

Deputetja e PS-së, njëkohësisht anëtare e Komisionit të Ekonomisë, Ermelinda Meksi, kërkoi nga kreu i BSH-së, masat që po merren në përballimin e krizës financiare që rrezikon vendin nga tregjet e huaja ndërkombëtare, të cilat prej kohësh po shoqërohen me mungesë të ofertës së produkteve kryesore, duke ngritur gjithashtu shqetësimin e rritjes së inflacionit, i cili aktualisht regjistron nivelin e rreth 4.6 për qind. Sipas Fullanit, Banka e Shqipërisë me lëvizjet e bëra përgjatë 2007-s, i ka paraprirë programit të vitit 2008, i cili synonte një normë rritjeje ekonomike në parametrat e dëshiruara. "Kemi parashikuar çdo presion që mund të vijë në dëm të politikave tona dhe masat që janë marrë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve. Për këtë kemi diskutuar disa herë edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar gjatë takimeve të zhvilluara në 2007-n". Kreu i Bankës tha se, norma bazë e interesit ka pësuar rritje tri herë brenda vitit të shkuar, për të mbajtur inflacionin brenda nivelit të kërkuar, por ky qëllim nuk u arrit për shkaqe që nuk vareshin drejtpërsëdrejti nga Banka. "Duhet të kemi parasysh faktin se ekonomia botërore u pështjellua në një krizë të gjerë, e cila vazhdon ende dhe nuk i dihet fundit. Kjo solli goditje të ofertës, duke ndikuar në rritjen e çmimeve për 2008-n", tha Fullani. Për të garantuar opinion publik se situata me çmimet do të ndryshojë për mirë, kreu i Bankës së Shqipërisë u tregua i sigurt se "politika monetare që ndjek Banka ka një bazë të qëndrueshme". Por shqetësim për Fullanin mbetet harmonizimi sa më i mirë i politikës monetare me atë fiskale që ndjek qeveria, e cila në disa raste duket sikur nuk ndjekin njëra-tjetrën. Për raportin e Bankës së Shqipërisë u lëshuan kritika për sa i përket statistikave. Sipas opozitës, disa të dhëna nuk përputhen me ato që paraqet Ministria e Financave, siç është ajo e rritjes mesatare të pagës në shtet. Por Fullani u përgjigj se këto janë statistika të institucionit që drejton, të hedhura nga të dhënat që ofron edhe INSTAT-i. "Në fakt, mospërputhja e shifrave mes institucioneve financiare është një problem që ne e kemi ngritur me kohë. Për shqetësimin jemi duke punuar me INSTAT-in dhe FMN-në, në arritjen e një marrëveshjeje për përmirësimin e statistikave". Një rezervë tjetër për opozitën lidhej me mungesën e plotë të një analize nga Banka rreth investimeve publike, që për vitin 2007 rezultuan të parealizuara sipas planit. Për këtë pikë, guvernatori pranoi se ka probleme në shpërndarjen në kohë të njëtrajtshme të fondeve, duke ndikuar në politikën monetare të Bankës. Ndërsa lidhur me borxhin publik të brendshëm, Fullani tha, se po punohet me Ministrinë e Financave dhe FMN-në, për një menaxhim sa më të mirë të tij, duke synuar reduktimin.

Interesat

Rritja tri herë brenda vitit e normës së interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë, solli një diskutim tjetër nga ana e deputetëve. Ata kritikuan politikën e bankës për të rritur interesat në monedhën lek, me synimin e vetëm të ruajtjes së nivelit të inflacionit. Sipas deputetit të PS-së, Andis Harasani, "Nëse nga një anë bankat tregtare me të drejtë këshillohen nga Banka e Shqipërisë të mos përqendrohen vetëm te kreditimi në valutë, pasi po shtojnë rrezikun, nga ana tjetër po nxiten nga vetë ajo drejt kësaj sjelljeje të rrezikshme. Rritja e normës së interesit të lekut, përveçse ka sjellë forcimin e tij në raport me valutat, dekurajon përdorimin e lekut dhe redukton hapësirën tek e cila banka qendrore mund të ndikojë me vendimet e saj". Ndërsa ish/ministri i Financave, Arben Malaj, e vuri theksin te rritja e interesit të bonove, duke rënduar borxhin e qeverisë. "Banka e Shqipërisë rriti normën e interesit, duke e çuar atë në 6 për qind, gjë e cila solli shtrenjtim të interesave në bonot e thesarit. Në këtë pikë, banka duhet të tregojë kujdes". Ndërsa deputeti Bashkim Fino iu referua shifrave të paraqitura nga BSH-ja lidhur me të ardhurat nga turizmi, të cilat nuk përputhen me ato të Ministrisë së Turizmit.

Edmond Spaho:

Banka e Shqipërisë duhet të rrisë presionin ndaj sistemit, në mënyrë që të rritet kreditimi për sektorin e bujqësisë. Të ketë kujdes ndaj kreditimit për konsumatorët, por mbi të gjitha ndaj nivelit të lartë të kredidhënies, e cila konsiderohet rrezik potencial për inflacionin.

Bujar Leskaj:

Banka nuk duhet vetëm të na konstatojë risqet dhe problemet ekonomike, por edhe të parashtrojë zgjidhje konkrete. Ndryshe nga viti i kaluar, kur luajti rolin e vëzhguesit, nga Banka e Shqipërisë presin ndërtimin e rrugës që duhet ndjekur për zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Po ashtu, ajo duhet të ndërhyjë në tregun e bonove, me qëllim liberalizimin e tij. Kjo do të sjellë ulje të kostos për qeverinë në kreditë që merr në tregun vendas. Kjo vlen edhe për ministrin e Financave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›