Albanian, nisen në Torino pasagjerët
Incidenti
Fluturimi i avionit të linjës Tiranë-Torino, i cili pati një defekt dy ditë më parë, u bë dje në orën 18.30. Një tjetër incident u ndodhi pasagjerëve të kompanisë shqiptare “Albanian Airlines”, pasi avioni me të cilin udhëtonin bëri ulje të detyruar pas një ore fluturim në Aeroportin e Rinasit, prej nga ku ishte nisur. Kompania njoftoi se defekti tashmë konsiderohet i riparuar dhe nisja u bë dje. Avioni i kompanisë "Albanian Airlines" u nis nga Rinasi pasditen e djeshme, por u kthye në pistë, pasi një nga valvulat e shkrirjes së akullit nuk punonte. Një pasagjere e këtij avioni tregoi për “Top Channel” momentet e frikës. “Do të niseshim për në Torino në orën 13.55. Pastaj, pas asaj nuk dhanë asnjë lajm, por thanë se do të nisej për në orën 15.00. Në 15.00 nuk kishte asnjë lloj shenje që do të niseshim dhe u nisëm në orën 16.00. Sapo u ngrit avioni na thanë që ka defekt. Një grua u bë shumë keq. Pastaj qëndruam një orë në fluturim për të harxhuar karburant dhe u kthyem”, është rrëfyer pasagjerja Drilona Kodra. Ndërkohë, përfaqësuesi i kompanisë “Albanian Airlines”, Ilir Kurgjini, ka deklaruar se incidenti i ndodhur është më se normal, pasi mund t’u ndodhë të gjitha kompanive ajrore, si atyre me kosto të ulet, ashtu edhe më të njohurave.
#