E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimnazistët larg helmit të drogës, kamera në çdo shkollë të Tiranës

17/03/2011  Basha e Burgaj në takim për luftën kundër hashashit: Rezultate pozitive

TIRANË- Fokusimi tek mbrojtja e nxënësve të shkollave nga shpërndarësit e hashashit dhe statistikat pozitive në arritjet kundër trafikut të kësaj droge ishin disa nga pikat kyçe që i diskutuan dje nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe kreu i policisë së shtetit Hysni Burgaj në takimin vjetor për Luftën Kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike.

Ministri Basha

Për të mbrojtur nxënësit nga droga Basha u shpreh se “Nëse 2010-a shënoi përparime të jashtëzakonshme në luftën kundër trafikantëve dhe kultivuesve, 2011-a duhet të shënojë një intensifikim të plotë të luftës kundër shpërndarësve të drogës. 2011-a duhet të jetë viti i tolerancës zero për ata që u shpërndajnë këtë helm fëmijëve tanë. Në veçanti për qytetin e Tiranës, si qyteti me numrin më të madh të shkollave, potencialisht me tregun më të madh për përdorimin dhe shpërndarjen e drogës, vëmendja e policisë duhet të jetë absolute dhe në veçanti për këtë qytet, pasi syve dhe veshëve të tyre në ndihmë u vjen sistemi më i sofistikuar i vëzhgimit pamor 24 orësh. Nuk do të ketë kamera në çdo cep të Tiranës, nuk do të ketë kamera në të gjithë Tiranën, por do të ketë kamera në çdo shkollë të Tiranës”. Sakaq, për sa i përket vlerësimeve të të huajve për punën e Antidrogës, ministri shtroi se “Në raportin e Këshillit të Bashkimit Evropian, në 2010-ën Shqipëria arriti rezultate shumë pozitive në luftën e saj konstante kundër krimeve të drogave dhe biznesit ndërkombëtar të drogave. 2010 ishte viti i zhvillimeve dhe vënies në jetë të Strategjisë së re Kombëtare në përputhje të plotë me standardet e përbashkëta të BE-së të paracaktuara në periudhën 2009-2011. Qendra e re QNOD pranë portit të Durrësit u krijua për një kontroll të mëtejshëm të mjeteve të lundrimit, është operative 24 orë në 24, dëshmi e një teknologjie pararojë. Ka një rënie të rasteve të kultivimit të kanabisit në masën 36.5% dhe numri i bimëve të kultivuara u reduktuar në 70.3% krahasuar me 2009-ën. Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-së thotë se gjatë vitit 2010 Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër lëndëve narkotike. Qeveria e Shqipërisë përpiqet të luftojë shumë ashpër me elementët kriminalë. Kultivimi i marijuanës është ulur ndjeshëm dhe kjo për shkak të rritjes së veprimeve të autoriteteve të zbatimit të ligjit kundër trafikuesve dhe kultivuesve. Të dhënat tregojnë se zbatimi më i fortë i ligjit dhe kontrolli më strikt i kufijve kanë çuar në uljen e nivelit të trafikimit. Për herë të parë në shtatë vjet sasitë e heroinës të kapur gjatë 10 muajve të parë të vitit 2010 ishin në nivele shumë të ulëta. Statistikat e autoriteteve italiane vazhdojnë të tregojnë se sasia e drogës me origjinë nga Afganistani, e kapur në Itali, e cila më përpara kalonte transit direkt nga Shqipëria, mbetet në nivelin minimal”.

Kryepolici Burgaj

Në prezantimin e arritjeve të policisë Burgaj u shpreh se “Policia e Shtetit ka arritur rezultatet më të mira në luftë ndaj këtij fenomeni në këto 4 vitet e fundit, duke reduktuar me 83% sasinë e bimëve të kultivuara, krahasuar me një vit më parë, ose reduktuar mbi pesë herë, në krahasim me vitin 2007. Goditjet e grupeve kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike në territorin e vendit ka bërë që Policia e Shtetit të vlerësohet nga shumë institucione ndërkombëtare si Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Drogën, Raporti rajonal mbi Ballkanin Perëndimor, si dhe Raporti Analitik i Komisionit Evropian”. Më tej gjatë fokusimit në planet e së ardhmes Burgaj theksoi se “Identifikimi i saktë i problematikës së kultivimit në çdo njësi vendore, vlerësimi i duhur i këtij fenomeni prej çdo punonjësi policie, si dhe marrja e masave të sakta, të plota, komplekse, gjithëpërfshirëse dhe me objektiva të përcaktuara në mënyrë të qartë, do të bëjnë të mundur që gjatë këtij viti rezultatet në këtë drejtim të jenë më të larta. Siç e kemi deklaruar tashmë objektivi ynë është minimizimi i këtij fenomeni deri në eliminimin përfundimtar të tij. Për sa më sipër, ne kemi kërkuar dhe gjithmonë do të kërkojmë mbështetjen e të gjithë subjekteve dhe faktorëve, pavarësisht peshës dhe rolit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë që mund të kenë ata në procesin e luftës kundër kultivimit të bimëve narkotikëve. Padyshim që një rol të shumë të rëndësishëm në këtë drejtim kanë luajtur dhe do të luajnë strukturat e pushtetit vendor dhe përfaqësuesit e zgjedhur nga komuniteti”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›