E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimnazistët presin kitarat e premtuara nga Ministria

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Gjimnazistët presin kitarat e premtuara nga Ministria

Një pedagog kitare shpreh pakënaqësinë për projektin e pazbatuar të Minstrisë së Arsimit, sipas të cilit, në të gjitha gjimnazet e Republikës këtë vit do të futej instrumenti i kitarës si lëndë. Denis Bizhga, pedagog prej katër vjetësh në Liceun e Tiranës e më pas në Akademinë e Arteve të Bukura, Fakultetin e Artit Muzikor thotë se ky instrument kaq i pëlqyer nga rinia mund të mësohej fare mirë në shkollë, duke dhënë edhe një kulturë të përgjithshme artistike. Në mungesë të puënsimit të profesorëve të kitarës nëpër shkolla, ata japin mësim privatisht në shtëpitë e të interesuarve. Mirëpo tamam në shkolla, duke e masivizuar instrumentin, mund të zbuloheshin ndoshta edhe talentet e kitarës.

-Sikur ka pasur një projekt të MASH për të futur në gjimnaze disa lëndë që japin formim artistik, midis tyre edhe lëndën e kitarës. Si ka ecur ky projekt deri tani?
Ky ka qenë një projekt i profesor Pëllumb Vorpsit, i cili është pedagog në Akademinë e Arteve. Ky projekt konsiston në zhvillimin e arteve në gjimnazet e Tiranës, në futjen e dy lëndëve të artit muzikor siç është kanto dhe kitara (klasike apo rryma të tjera). U vendos për kitarën, sepse duke qenë shumë popullor dhe një instrument i lirë për tu blerë, mund të ishte i suksesshëm për tu futur si instrument në të gjitha gjimnazet e Tiranës dhe të të gjithë shtetit. Disa degë janë futur në sistemin e ri arsimor si arti dramatik, aktrimi dhe fotografia, por arti muzikor nuk është futur akoma. Uroj të mos ketë mbetur një projekt syrtaresh në zyrat e Ministrisë së Arsimit. Deri tani nuk është bërë asnjë kërkesë nga Drejtoria Arsimore e Tiranës për pedagog kitare, për të zhvilluar konkursin për pranimin për mësues kitare. Ky projëekt ka mbetur pezull
-Po me shkollat private, është parë mundësia e një projekti për të futur kitarën si lëndë?
Ka disa shkolla private që e kanë filluar kitarën si lëndë prej 2-3 vjetësh. Por janë shumë pak. Derisa nuk ka një rregullore të Ministrisë së Arsimit, ajo nuk mund të jetë lëndë e detyrueshme për tu ofruar në shkollë.
-Denis, ju jeni pedagog i jashtëm në Akademi. Si jeton një pedagog i jashtëm? Me çfarë të ardhurash?
Të jesh pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve është shumë e vështirë të jetosh me këto të ardhura të pakta. Duke llogaritur që një pedagog i jashtëm, maksimumin e orëve në Akademinë e Arteve e ka 5 orë në javë dhe duke i shumëzuar këto me një orë e barabartë me 500 lekë, i bie që fundi i muajit të arrijë 10 mijë lekë.
-Atëherë, si jetoni ju?
Jetoj duke bërë kurse private të lëndës së kitarës.
-A ka shumë të diplomuar që japin mësim kitare?
Po, ka shumë. Shumica e studentëve që kanë mbaruar Akademinë, japin aktualisht kurse kitare, Kurset e kitarës nisin nga mosha më e vogël dhe .nuk ka limit moshe
-Atëherë, a mundet edhe një fëmijë i vogël, të mësojë ushtrimet në kitarë?
Sot nuk ka më limit të tillë. Nga kontaktet edhe me kolegë të huaj, edhe jashtë, kemi parë që mësimin e kitarës e fillojmë që herët, sepse ekzistojnë disa madhësi kitarash. Kitara normale ka masën 4/4 (katër të katërtat), por për fëmijët e vegjël ekzistojnë kitarat ¼, që është masa më e vogël. Për fëmijë nga klasa e parë deri në të tetën, përdoren kitarat 2/4 e 3/4, derisa me zhvillimin e dorës në përmasat e të rriturit, arrihet tek kitara 4/4.
-Kurset për fëmijë dhe për të rritur, a janë të ndara apo të përbashkëta?
Kurset janë ose në grup, ose individuale. Duke marrë fëmijët më të vegjël, ata është më mirë të zhvillohen individual se kuptojmë më shumë. Ndërsa për të rriturit është sipas dëshirës.
-Këta që përfshihen në kurse kitarash, janë fëmijë e të rinj që duan thjesht të mësojnë për kënaqësi një instrument, apo synojnë të futen në Lice dhe Akademi?
Shumica duan thjesht të marrin një kulturë muzikore, duke qenë një instrument që ka hyrë masivisht në gjysmën e dytë të shekullit XX. Por ka edhe nga ata që duan të fitojnë një përgatitje për të vazhduar liceun apo edhe Akademinë e Arteve. Ne kemi në kurse edhe nga këta të rinj, që i përgatitim për konkurse.
-Për një njohuri të përgjithshme për prindërit e interesuar, sa variojnë kurset e kitarës në Tiranë? Pra, cili është tregu i tyre?
Kurset variojnë nga 700 lekë deri në 1500 lekë ora. Kjo varet nga profesori i kitarës, nga kohëzgjatja e kursit.
-Për të patur një njohuri bazë, pra për të qenë në gjendje të luash modestisht në kitarë, sa kohë duhet të zgjasë kursi?
Kursi minimalisht për të mësuar kitarën varion tek 2-3 muaj, duke e lexuar me nota, pra mësim pjesësh me partiturë. Më pas, pasi kursanti ka mësuar notat, ai mundet të vazhdojë të mësojë në mënyrë autodidakte. Pastaj, nga ana i nivelit të interpretimit, mësimi i kitarës nuk ka kufi, niveli vjen në rritje, shkalla e vështirësisë dhe mjeshtëria po ashtu. Gjithkush mund ta vazhdojë kursin aq sa dëshiron të përparojë, të perfeksionohet.
-Për ata që duan të ndjekin një kurs kitare apo që duan ta mësojnë autodidakt, çfarë kitarash rekomandohen?
Ata që duan të blejnë një kitarë për fëmijën e tyre apo adoleshentëve, do tu të dëgjojnë rekomandimin e profesorit të tyre të kitarës. Kitara në treg ka disa lloje; ka kitara klasike ose kitara spanjolle siç njihen mbarë, ka edhe kitara akustike. Ndryshojnë kitarat sepse kitara klasike ka tri tela që janë tela nejloni dhe tri metalikë, kurse kitara akustike i ka nejloni.
-Ka ndonjë problem lloji i telave për të vegjlit? Me cilën kitarë duhet mësuar?
Të dyja janë të përshtatshme. Për vajzat dhe të vegjlit është më mirë me tela nejloni, sepse telat metalikë u vrasin gishtat.
-Nga markat e kitarave që kanë hyrë në Shqipëri, cilat janë më të përshtatshme për të studiuar kitarë?
Shumica e markave që kanë hyrë në Shqipëri, janë kitara studimi dhe duke parë edhe mundësitë e fuqisë blerëse këtu, janë kitara me kosto të ulët për studim. Natyrisht kanë hyrë pak edhe kitara shumë cilësore dhe që kushtojnë shumë. Por ndryshe nga tregjet evropiane, si në Itali përshembull, ku kitarat fillojnë nga një çmim më i ulët se këtu, nga 50 euro duke arritur deri në 3000 euro, këtu fillojnë nga 10 mijë lekë të reja, deri në 50 mijë të reja. Pastaj kemi edhe kitarat elektrike që kanë kosto më të lartë.
-Disa persona e pëlqejnë shumë kitarën, por nuk kanë vesh muzike. A mund të mësojnë ata kitarë?
Të gjithë mund ta mësojnë kitarën, të gjithë arrijnë të marrin një minimum kulture muzikore dhe duhet ta marrin.
-Më kujtohet që shumë vjet para, shtëpitë e pionierit që kishin rrethe artistike, nuk pranonin në instrumenta fëmijë pa vesh muzikor…
Unë ju them, që ndër muzikantët, ka nga ata që janë të talentuar, por ka edhe nga ata që punojnë shumë. Dhe në momentin e parë nuk kuptohet se sa mund të përparojë, shihet ecuria e nxënësit në kurs. Në shumicën e rasteve, ata që hyjnë në një kurs kitare, e mësojnë për kënaqësi dhe nuk ka të bëjë shumë fakti ka apo jo vesh. Thjesht, di të luaj në atë instrument. Nuk është e domosdoshme të pasurit e një ndjeshmërie të veçantë muzikore. Në ndonjë instrument tjetër si pianoja, veshi është i rëndësishëm. Midis kitaristëve dhe pianistëve ka një ndryshim: Pianistët domosdo kanë një vesh më të zhvilluar, pianoja duke qenë edhe iunstrument kordofon, ka një tingull më të gjatë, ndryshe nga kitara që e ka më të shkurtër. Po ashtu edhe violinistët që mund të mbajnë nota të gjata. Notat në kitarë janë shumë të shkrutra.
-Ka të bëjë veshi muzikor me gjatësinë e notes- e shkurtër, e gjatë?
Duke dëgjuar nota të gjata, ne kuptojmë saktësinë e veshit. Pra, në kitarë mund të futet kushdo, pavarësisht nëse ka apo jo vesh muzike.

Paradoksi
Licetë e rretheve, mësimin e kitarës e japin violincelistë

Ka shumë pedagogë që japin lëndën e kitarës pa qenë të diplomuar. Kështu tregon për “Ballkan” pedagogu i kitarës në Akademinë e Arteve të Bukura, Denis Bizhga. Kur mbaron Akademinë e Arteve në degën e kitarës, merr automatikisht titullin “Kitarist” dhe duhet të jesh profesor kitare. Por paradoksalisht, në shumë lice të rretheve dhe shkollat e muzikës, të diplomuarit për kitarë nuk mund të zhvillojnë artin e mësimdhënies, sepse vendet janë të zëna nga persona që nuk kanë mbaruar kitarë, por kanë mbaruar për instrumenta të tjera si përshembull për violinçel. Ata kanë fituar pak njohuri në kitarë, por kjo nuk është e mjaftueshme, sepse ata nuk e kanë të gjithë bazën didaktike për të zhvilluar atë lëndë mësimore, gjë që ndikon për keq në përgatitjen e talenteve në kitarë

“Kitaristët shqiptarë duhet të gjejnë veten në skenat e Evropës”

Vajza të diplomuara janë fare pak. Kitara është instrument për duar mashkullore

-Si është jeta artistike e kryeqytetit, përsa i përket jetës koncertore të kitaristëve?
Jeta koncertore e kitaristëve faktikisht është shumë e varfër. Vetëm një herë në vit në Akademi bëhet “Nata e kitarës” siç e quajmë, ku të gjithë studentët e Akademisë, nën drejtimin artistik të prof. Edison Missos marirn pjesë në koncert dhe aty mobilizohen të gjithë, pasi ky është njëherësh provimi i diplomimit dhe shfaqja e para para publikut, ku studenti merr emocionet e drejtpërdrejta. Gjithashtu, çdo simestër në Akademi studentët luajnë para një komisioni të zgjedhur me pedagogë të Akademisë së Arteve. Edhe diploma e vitit të katërt jepet në sallën e Akademisë së Arteve, e cila është gjithmonë e hapur për publikun.
-Pse nuk realizohen më shpesh këto koncerte?
Akademia ka dy salla koncertesh, njëra është shumë e madhe, e përshtatshme për koncerte të tilla, por duke mos patur kohë për zotërimin e të dy programeve, si programin e shkollës, edhe të koncertit individual, kjo mbetet e vështirë.
-Studentët që vijnë në Akademinë e Arteve, a janë të talentuar?
Ka shumë studentë të talentuar në Akademi, që vijnë sidomos nga Liceu i Tiranës., Elbasani ka sjellë gjithnjë studentë shumë të talentuar.
-Mund të vijnë edhe nga gjimnazet në Akademi apo duhet të jenë patjetër nxënës nga Licetë?
Pak janë ata që vijnë nga gjimnazi, duke patur një kulturë muzikore në kitarë të marrë privatisht. Sepse kitara fillon shumë herët si instrument, me sistemin e ri arsimor i marrin që në klasë të gjashtë. Pra, duhet një studim i mirë dhe kohëzgjatje në ushtrimin e kitarës për të fituar konkursin e Akademisë së Arteve për kitarë.
-A ka në Akademi vajza për kitarë dhe a janë ato rivalizuese me djemtë?
Aktualisht nuk ka. Vajza kitariste në Shqipëri ka shumë- pak të diplomuara. Ndërsa në kurse private është krejt e kundërta: Femrat e parapëlqejnë edhe më tepër kitarën. Por rivalizojnë vetëm deri diku.
Them deri diku, sepse si instrument, mbetet mashkullor, pasi duhet një artikulim i mirë i duarve. Ndërsa femra ka gjetur vetveten tek violin, duart e mashkullt kanë gjetur kitarën. Kjo është cilësia e veçantë e instrumentit.
-Ku e bëjnë jetën e kitaristit solist ata që diplomohen?
Të paktë janë ata që vazhdojnë kitarë klasike dhe mënyra se si jetojnë edhe kitaristët e huaj solistë në fillimet e veta është duke marrë pjesë në konkurset e kitarës që zhvillohen në tërë Evropën. Pra, fillimi i një kitaristi klasik nis me marrjen pjesë nëpër konkurset, duke fituar sa më shumë çmime. Ka shumë konkurse prestigjioze si në Itali, Angli, Gjermani etj. Përveç fitimit monetar, vijnë edhe çmimet e para që janë kitara të ndërtuara nga lytier (persona që ndërtojnë instrumenta muzikorë), vlera e të cilave shkon nga tri mijë euro e sipër.
-Sa kushton kitara juaj?
Kitara ime kushton 500 euro dhe është e markës “Alhambra”
-Një kitarist synon më shumë të japë mësime private, apo të japë mësim në shkollë?
Të dyja janë alternativa të vlefshme. Por unë do të isha i mendimit, që ata ta vazhdonin profesionin e kitarës duke bërë master në Shqipëri ose jashtë dhe duke përfunduar kitaristë koncertantë, duke dhënë koncerte në Shqipëri dhe në Evropë.
-Në Shqipëri edhe pjesa më e madhe e dasmave bëhen me Dj. Pra, kitara pëlqehet si instrument, por nuk ka shumë orkestra për të përfshirë të diplomuarit…
Ata që kanë ambicie, 2-3 prej tyre mund të çanin edhe në Evropë, duke qenë ambasadorë të mirë të artit shqiptar e të çelnin një mundësi të futjes në tregun e huaj edhe të kitaristëve të tjerë.
Intervistoi Denisa KONA

Ky lajm është publikuar: 16/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›