E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjimnazistët u asfiksuan nga gazi, nuk u helmuan nga lëngjet

04/02/2005  Policia lë të lirë pronarin e lokalit

ELBASAN -Gjimnazistët elbasanas, në komunën e Gjinarit, nuk janë helmatisur nga lëngjet, që kishin konsomuar, por janë asfiksuar si pasojë e mungesës së oksigjenit dhe e çlirimit të një gazi nga lëndët djegëse. Alarmi për helmimin e gjimnazistëve nga produktet që kanë konsumuar gjatë një feste është hedhur poshtë dje dhe nga versioni zyrtar i policisë, i mbështetur edhe në rezultatet e analizave të zhvilluara nga Drejtoria e Higjienës. Sipas versionit zyrtar, helmimi i gjimnazistëve ka ardhur si pasojë e mungesës së oksigjenit në një ambient të mbyllur dhe çlirimit të një gazi nga lëndët djegëse nga mungesa e oksigjenit dhe çlirimi i dioksidit të karbonit të ndihmuar nga cigaret dhe ngrohja.

Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se kanë qenë rreth 60 nxënës, që kanë festuar në një lokal, rreth 40 metra katrorë me dyer e dritare të mbyllura. Kjo situatë pas dy orësh është bërë faktor për shqetësimet në shëndet nga tymosja e cigareve, lënda djegëse e përdorur për ngrohje dhe numri i madh i të rinjve përballë ambientit të vogël dhe të mbyllur.

Pesë vajza dhe një djalë janë ndjerë keq dhe kanë pësuar një version helmimi me të gjitha simptomat, aq sa shumica e familjarëve dhe mjekët menduan se shkaktohej nga lëngjet e përdorura. Pas ekzaminimit nga grupi hetimor dhe grupi i higjienës, që kanë mbërritur pasdite vonë në Gjinar është verifikuar edhe versioni zyrtar, ai i asfiksimit të të rinjve. Menjëherë pas konfirmimit të rezultateve, pronari Drini Panxhi, është lënë i lirë, ndërsa është hapur edhe lokali, i cili ishte bllokuar deri në përfundimin e hetimeve.

Ndërkohë burime spitalore konfirmojnë se 6 gjimnazistët, që kanë kaluar situatën më të vështirë në spitalin kirurgjik, janë transferuar në atë infektiv.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›