E Hënë, 2 Nëntor 2026

Propozimet e PBDNJ-së, bllokohet ndarja zonale

04/02/2005  Ndarja e zonave me popullsi minoritare, shkak debati mes PS-së dhe PD-së

Bisedimet e djeshme mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste nuk kanë mundur të zhbllokojnë punën e komisionit të posaçëm për hartën e re zgjedhore. Këtë herë shkak është bërë ankesa e PBDNJ-së, që ka të bëjë me ndarjen në zonat e populluara nga minoritarë grekë. Palët respektive kanë vijuar t'ia hedhin fajin njëra-tjetrës, ndërkohë që afati për miratimin e zonave zgjedhore është mesi i muajit shkurt. Sipas përfaqësuesit të PD-së, në komisionin e posaçëm për ndarjen zonale, Jemin Gjana, kërkesa e PBDNJ-së është pranuar nga opozita, por kanë qenë socialistët ata që e kanë hedhur poshtë, duke bllokuar dhe punën e komisionit. "Sot prozimi, që kishte ardhur nga PBDNJ është pranuar nga PD që të jetë pjesëe kësaj pakete propozimesh të OSBE. Por sërish e gjithë kjo paketë propozimesh, propozimi i djeshëm OSBE, dhe lidhur dje me këtë propozim të PBDNJ është refuzuar totalisht nga PS, e cila sigurisht që kërkon të nxjerrë përfitimet e saj të padrejta, të pambështetura në ligj, të paargumentuara", tha Gjana. Ndërkohë, përfaqësuesi i PS-së në këto bisedime, Elmaz Sherifi, shprehet se këmbëngulja e demokratëve për të pranuar ankesat e PBDNJ-së është vetëm një pretekst për të bllokuar punën e komisionit "Ne kemi kohë që kemi konstatuar se në variantin e propozuar nga PBDNJ-ja ka shkelje ligjore. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë qenë dakord më parë me variantin e propozuar për zonat minoritare, ndërsa sot thanë të kundërtën", tha Sherifi. Vetëm një ditë më parë përfaqësues të minoritetit grek deklaruan se, në rast se do të zbatohej ndarja e re zonale, e parashikuar për vendet me popullsi minoritare, atëherë këta të fundit do të bojkotonin zgjedhjet. Pretendimet e tyre kanë të bëjnë me ndarjen e disa zonave në jug të vendit që prekin qytete të tilla si Himara, Saranda, Gjirokastra apo Delvina.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›