E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjimnazistja: Paratë do t'i grabisja për të kuruar babanë

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

"Me paratë që do t'i grabisja kambistit, doja të kuroja babanë e sëmurë". Kështu ka deklaruar para oficerëve të policisë, gjimnazistja e vitit të tretë, e cila plagosi me thikë 50- vjeçarin Tahir Mëhalla. Pas arrestimit, 17-vjeçarja ndodhet në momente tronditjeje, ndaj kur është marrë në pyetje, ka asistuar edhe një psikolog. Vajza ka shpjeguar ngjarjen e ndodhur në bulevardin "Republika" mëngjesin e së martës, kur në tentativë për të grabitur rreth 10 mijë euro, ajo sulmoi me armë të ftohtë, thikë, 50-vjeçarin. Gjatë marrjes në pyetje, D.K ka mohuar dyshimin e policisë për ndonjë lidhje ndërmjet saj dhe të plagosurit. Ajo deklaroi se Tahir Mëhallën e njihte që ishte kambist, pasi me të kishte shkëmbyer disa herë lekë dhe euro. Por mohoi në mënyrë kategorike lidhje intime mes tyre. Ndonëse në kushte depresioni, 17-vjeçarja pohoi se qëllimi i saj ka qenë vetëm grabitja. "E dija që kishte para, ndaj desha t'ia grabisja" është shprehur ajo, duke shpjeguar se mëngjesin kur kreu krimin nuk ishte nisur me këtë qëllim nga shtëpia. "Ideja për t'i marrë paratë kambistit, më lindi vetëm ku e pashë atë. Isha afër shkollës, vend ku gjithnjë kryhet shkëmbimi i parave. Aty u ndesha me të dhe gjithçka e vendosa në moment", vijoi deklaratën adoleshentja, ndaj së cilës janë ngritur dy akuza. Sipas policisë, gjimnazistja akuzohet për veprat penale të "Vjedhje me dhunë e mbetur në tentativë" dhe "Plagosje e lehtë". Në praninë e psikologut dhe avokatit, ajo ka justifikuar edhe praninë e thikës në çantën e shkollës, me të cilën sulmoi pas shpine kambistin, sapo e futi në hyrjen e një pallati në qendër të qytetit. "Thikën nuk e kisha marrë për të realizuar grabitjen. Unë kam kohë që e mbaj në çantë për t'u vetëmbrojtur, nëse do të ndodhesha në ndonjë situatë të vështirë. Kur më lindi ideja e grabitjes, më shkoi mendja te thika që kisha me vete, e cila mund të më shërbente për t'ia arritur qëllimit". Vajza ka pohuar se gjatë gjithë rrugës që bënte së bashku me kambistin, ka pasur shumë lëkundje për vendimin që kishte marrë. Ajo e kishte gënjyer atë edhe për pallatin e prindërve të saj, duke e çuar në një lagje ku nuk e njihte asnjeri. Sipas planit, do ta plagoste kambistin dhe kur ai të binte përdhe do të rrëmbente çantën dhe do të largohej. "Paratë nuk i doja për një jetë më luksoze, por për të kaluar gjendjen e rëndë ekonomike që kishim në familje", ka përfunduar gjimnazistja e arrestuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›