E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimnazistja i ngul thikën kambistit, për t‘i marrë lekët

Një ngjarje e rrallë ka ndodhur në qytetin e Korçës, kur protagonist e një plagosjeje me thikë ka qenë një nxënëse gjimnazi. Një 17-vjeçare është bërë autore e një plagosjeje me motiv grabitjen. Nxënësja e vitit të tretë, të shkollës së mesme "Themistokli Gërmenji", në Korçë, ka plagosur me thikë një kambist. Identiteti i saj nuk është bërë i ditur nga ana e policisë për shkak të moshës, por, sipas të dhënave zyrtare, vajza me inicialet D.K., ka kryer një tentativë grabitjeje dhe plagosje me dashje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30, kur vajza 17-vjeçare, pasi ka dalë nga shkolla, është drejtuar te pika e këmbimit valutor disa metra larg nga shkolla e saj. Sipas dëshmitarëve okularë, ajo i është drejtuar njërit prej kambistëve, 57-vjeçarit Tahir Mëhalla, të cilit i ka kërkuar të ndërrojë valutë në shuma të mëdha. Ajo e ka bindur kambistin që të shkojnë në shtëpinë e saj, pasi atje ajo kishte një shumë të madhe eurosh. Por, ndërsa e ka larguar nga vendi ku kryhet këmbimi valutor, në fakt, nxënësja ka shkuar në një nga lagjet e qytetit me pretendimin se banon aty dhe pasi e ka futur 57-vjeçarin në një rrugicë të parrahur mes pallateve, e ka qëlluar me thikë. Policia, që ka nisur menjëherë hetimet për këtë ngjarje të rëndë, ka bërë të ditur se D.K., ka qëlluar me thikë kambistin Tahir Mëhalla. Kjo ka ndodhur në lagjen 12, tek ish-"Vetëshërbimi", aty ku vajza e kishte gënjyer 57-vjeçarin se kishte banesën e saj. Sapo kanë hyrë në rrugicë, gjimnazistja ka nxjerrë një thikë buke, me të cilën ka qëlluar pas shpine 57-vjeçarin dhe më pas ka tentuar t‘i marrë çantën me lekë, që ai kishte me vete. Por edhe pse i plagosur, kambisti ka rezistuar duke u mbrojtur. Kur ka hasur në rezistencën e 57-vjeçarit, vajza është mbërthyer nga paniku dhe ka tentuar të fshihet. I plagosuri ka dalë për ndihmë në rrugën kryesore dhe më pas i është drejtuar spitalit, ku dhe ka marrë mjekimin me terapi ditore pranë kirurgjisë septike. Mjekët e spitalit kanë bërë të ditur se 57-vjeçari kishte një plagë të lehtë në pjesën e kurrizit, rreth 4 centimetra dhe fatmirësisht gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm pas mjekimit. Disa minuta pas ngjarjes, policia ka kapur 17-vjeçaren e dyshuar si autore të kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila ishte përpjekur të fshihej vetëm disa metra larg vendit të ngjarjes. Ajo ka pranuar në polici se motivi i plagosjes me thikë ishte pikërisht grabitja e parave dhe se e kishte kohë që kishte menduar planin e grabitjes. Policia ka deklaruar se ka bërë arrestimin e 17-vjeçares D.K., e cila akuzohet për tentativë grabitjeje dhe për plagosje të rëndë me dashje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›