Topalli me fëmijët: Asgjë nuk e justifikon dhunën
Në ditën kundër dhunës, kryetarja e Kuvendit ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme, ku në vend të deputetëve, në sallë kanë qenë të ulur fëmijë të moshave të ndryshme. Topalli u ka uruar mirëseardhjen dhe i ka falënderuar për pjesëmarrjen. "Sot ju kam ftuar këtu, që së bashku të nisim një tjetër fazë të saj, jo thjesht atë të mospranimit të dhunës me heshtje, por të edukimit të një shoqërie pa dhunë, të ndërtimit të një bote në të cilën të gjithë fëmijët mund të jetojnë në siguri dhe me dinjitet me prindërit, mësuesit e shokët e tyre" është shprehur Topalli. Sipas kryetares së Kuvendit, edukimi është në zemër të ndërtimit të paqes. Ajo ka ftuar çdo shqiptar për të vënë një tullë në murin e formimit të një kulture kundër dhunës, në përfitim të fëmijëve tanë. Dhuna, tha Topalli, nuk duhet të jetë më pjesë e mendësisë sonë, e sjelljes sonë. Vetëm ideologjitë antidemokratike justifikojnë dhunën, është shprehur kryetarja e Kuvendit, duke theksuar se asgjë nuk e justifikon dhunën, e aq më tepër atë kundrejt fëmijëve.